TIRANE

Milan Kundera mes gjuhës së nënës dhe gjuhës së letërsisë deri te rruga drejt gjuhës shqipe, është trajtuar nga përfaqësues të ambasadës çeke, asaj franceze dhe letrarë e përkthyes shqiptarë, në një ‘in memoriam’ për të. Shkrimtari që zbërtheu të jetuarit dhe traumat e sistemeve politike lindore me letërsinë e tij, erdhi përmes perceptimeve të Pragës e Parisit, në një takim në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë.

“Kundera ka qenë i admiruar sidomos për veprën “Shakaja”, një vepër Kult që unë e lexova kur ai ishte dënuar me harresë nga regjimi komunist, aq më tepër që kishte emigruar. E dinim mirë se regjimi mund të zhdukte emrat e autorëve, por s’mund të ndalonte admirimin që ndjenim ne për mendimin e lirë dhe për emrat që e simbolizonin atë”, tha Pavel Vacek, ambasador i Çekisë në Shqipëri.

Ndërkaq, Samuel Richard nga ambasada franceze, vuri në dukje, ndikimin e një letërsie të mirë në njohjen e botës.

“Më 1968 në Francë ishte sikur të vije përballë dy pasqyra që shihnin njëra-tjetrën. Kishte shkrimtarë nga Lindja e Perëndimi që shihnin njëri-tjetrin, por nuk ngjanin me njëri-tjetrin. Shpejt e kuptova në cilën pasqyrë duhej të shihja dhe përmes veprës së cilëve autorë, duhej të kuptoja Europën dhe vepra e Kunderës më ndihmoi. Parisi ka qenë mundësi për shumë autorë, siç ishte edhe për Kadarenë”, tha Richard.

I lindur në Çeki, sa ç’rritej kurba intelektuale e Kunderës, por aq rritej edhe kundërshtia ndaj regjimit komunist. Në fillimvitet 1970 ai emigroi në Francë duke mos lejuar për një kohë që vepra e tij e botuar në frëngjisht të përkthehej në çekisht. “Identiteti”, “Shakaja”, “Pavdekësia”, “Lehtësia e padurueshme e qenies” janë disa prej veprave të tij më të njohura, prej vitesh tashmë edhe në shqip.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: