NGA ZONJA KATERINA

Përbërësit

500 gr makarona për pastiçe,500 gr mish të grirë, 4-5 lgj vaj ulliri, 2 qepë të grira hollë, 2 thelpinj hudhër, 400 gr domate
2-3 ls konjak, 1 lk sheqer, 1 shkop kanelle, 1 gjethe dafine, Kripë, piper.

Beshameli:

1.5 litër qumësht, 5 ls niseshte, 2 ls gjalpë, 150 gr djath kaçkavall, 2-3 të verdha veze, Kripë, piper, arrë moskat.

Në një tenxhere hedhim vajin e ullirit dhe kaurdisim mishin e grirë derisa të ndryshojë ngjyrë. Më pas shtojmë qepën dhe hudhrën të grirë imët dhe vazhdojmë kaurdisjen për 2-3 minuta duke hedhur dhe konjakun më pas. E lemë sa të avullojë pak alkooli dhe shtojmë domatet e freskëta të grira në kubikë të vegjël (ose mund të përdorim 1 kuti konservë domate). Vazhdojmë kaurdisjen duke rregulluar me pas dhe shijen me kripë, piper të zi, kanellë dhe dafinë. E lemë salcën për 5-6 minuta të aromatizohet dhe të lidhet.

Ndërkohe kemi vendosur një tenxhere me ujë dhe kripë, dhe në momentin që uji kalon në vlim shtojmë makaronat dhe i lemë të ziejnë për 5 minuta. Më pas i kullojmë dhe i hedhim 1 lugë vaj që makaronat të mos ngjiten.

Sa makaronat ziejnë përgatisim beshamelin. Në një tenxhere vendosim qumështin, niseshten dhe gjalpin. E vendosim tenxheren mbi sobë dhe i trazojmë përbërësit derisa të lidhen dhe të behet një masë kremoze. Më pas shtojmë vezët një e nga një si dhe djathin kaçkavall të grirë në rende. E rregullojmë beshamelin me pak kripë, piper dhe arrë moskat dhe e shtojmë tek makaronat (gjysmën e sasisë).

Lyejmë një tavë me pak gjalpë dhe vendosim gjysmën e sasisë së makaronave, më pas vendosim salcën e përgatitur me mish të grirë. Shtojmë 4-5 lugë beshamel dhe më pas vendosim dhe pjesën tjetër të makaronave. Me beshamelin që na teproi bëjmë një shtresë të fundit duke e niveluar mirë pastiçen. E spërkasim në fund me pak djathë të verdhë dhe e vendosim në furrën e parangrohur në temperaturën 180-200 gradë Celsius për 40-45 minuta.

(da.xha/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb