Nga: ZONJA VJOLLCA
320 gr makarona (fusili)
300 gr kunguj të njomë
200 gr bizele
200 gr proshutë e tymosur
3 lgj parmixhano i grirë
3 lgj vaj ulliri
1 thelpi hudhër
Kripë, piper i zi

beshameli:
50 gr gjalpë
50 gr miell
500 ml qumësht
350 gr gjizë pa kripë
Kripë, arrë moskat

Fillimisht përgatisim beshamelin duke shkrirë gjalpin dhe më pas duke kaurdisur miellin. Sapo mielli të fillojë të ziejë dhe të zbardhet shtojmë gradualisht qumështin e ngrohtë duke e trazuar me tel që të mos na bëhet me kokrriza. E rregullojmë shijen me kripë dhe arrë moskat. E lemë më pas beshamelin sa t’i ulet pak temperaturë dhe shtojmë gjizën duke e trazuar derisa të formohet një masë homogjene. E hedhim më pas në një tas dhe e mbulojmë me celefon që të mos zejë cipë dhe e lemë në temperature ambienti.

Lajmë thajmë kungujt dhe i presim në ½ vertikalisht, më pas i presim në gjysmëfeta të holla. Qërojmë hudhrën dhe së bashku me vajin e lemë të ngrohet. Hudhrën e lemë sa të aromatizohet vaji dhe më pas e largojmë. Shtojmë në tigan kungujt dhe bizelet dhe i kaurdisim për 3-4 minuta. Më pas shtojmë proshutën të prerë në kubikë të vegjël dhe e rregullojmë shijen me kripë dhe piper të zi.

Ndërkohe kemi vendosur makaronat të ziejnë për 9 minuta. Pas këtij minutazhi me anë të një site i largojmë makaronat nga tenxherja dhe i shtojmë në tiganin me perime. I trazojmë për 1-2 minuta dhe më pas i shtrojmë në një tavë të lyer me pak vaj ose gjalpë. E spërkasim sipër pastiçen me djath parmixhano dhe e vendosim në furrë të piqet në temperaturë 200 gradë Celsius per 20-25 minuta.
(er.cu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb