TIRANË

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi ka rrëfyer se dhe në shtëpinë e tij ka pasur plasaritje por se kjo nuk është e rrezikshme. Duke folur në “Real Story” në News24 për tërmetet dhe dëmtimet në objekte, Klosi tha se ndonëse bashkëshortja nuk pranon të fusë vajzën, ai vazhdon të banojë aty dhe se ndërtesat treguan se janë të qëndrueshme dhe i rezistuan një tërmeti shumë të fortë.

“Kam ndenjur shumë orë në një nga ndërtesat e prishura. Tragjedi e jashtëzakonshme, jetë të humbura, dhimbje e madhe, prioritet kanë qenë njerëzit. Atë ditë kam parë heronj. Çunat e FNSH në një banesë në Durrës, bënë një punë të tmerrshme. Erdhën italianët më mbrapa dhe unë isha atje, fola vetë me shefin e grupit italian dhe tha kjo është rruga që duhet të bëjmë por ne nuk e bëjmë dot kurrë këtë që po bëjnë këta. Sakrifikuan çdo gjë për të shpëtuar një zonjë. Ishte një tërmet shumë i fortë, nuk ishte një gjë normale. Atë që thoni ju nga pikëpamja universitare, nga pikëpamja e përllogaritjeve, nga pikëpamja shkencore e thotë terreni. Mendoj se ndërtesat e prishura ose ato që u rrënuan kishin arsye ekstra. Arsye ekstra nga projektimi, nga ndërtimi. Unë vetë në shtëpinë time pata plasaritje dhe pa u riparuar ajo nusja ime nuk e fut vajzën se është psikologjike. Por ama duhet të kuptojmë se ajo është një ndërtesë e qëndrueshme, nuk ka asnjë problem, i rezistoi tërmetit. Nuk e dimë se çfarë ka parashikuar Zoti për ne. Por ama dimë të themi që janë ndërtesa të qëndrueshme dhe i rezistuan një tërmeti shumë të fortë. Ndërtesat e Durrësit realisht ajo godinë të fut tmerr por do riparohen. Kryeministri iu kërkoi që ata të fillojnë procesin e riparimit sepse nga pikëpamja vizuale, nga pikëpamja e stresit, se tani duhet të kthehemi në jetë normale. Unë jam në shtëpi, banoj por është si të thuash një familje që ka kompleksitetin e saj”, deklaroi Klosi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb