TIRANË – Sistemet e reja teknologjike që janë vendosur për rinovimin e patentave kanë bërë të mundur që të shkurtohet nga dy javë në vetëm 15 minuta, koha e rinovimit të tyre.

Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës Edmond Haxhinasto vizitoi zyrat e Drejtorisë së Shërbimit të Transportit Rrugor në Kashar ku vlerësoi “këtë investim kaq të efektshëm, i cili në fakt ka efekt primar rritjen e cilësisë së shërbimit ndaj qytetarëve . Me sistemin e ri të vendosur koha e rinovimit të patentave ka ndryshuar nga 2 javë në vetëm 15 minuta. Duhet të theksojmë se kosto e këtij shërbimi nuk ka ndryshuar dhe do të ngelet e njëjtë” – tha ministri.

Më tej ai u ndal në ambjentet e testimit të teorisë së kandidatëve për leje drejtimi, ku është investuar për sistemin e ri të informatizuar për identifikimin e kandidatëve, si dhe janë instaluar pajisje fotografike dhe identifikimin dixhital të kandidatit.

“Kemi përmirësim të mënyrës se regjistrimit së kandidatëve nëpërmjet paraqitjes së menjëhershme në kohë reale të fotografive të gjithëseicilit dhe të firmës dhe të shenjave të gishtave ne formularin e testimit. Kështu do të arrijmë të luftojmë falsifikimet e mundshme por më shumë i shërbejmë sigurisë së qytetarëve. Drejtuesit e ardhshëm të automjeteve të motivohen më shumë,ta konsiderojnë proçesin e testimit teorik si një shërbim që i bëjnë vetes së tyre, një shërbim që i bëjnë jetës” – tha ministri Haxhinasto.

Me hyrjen e këtij elementi të ri në proçesin e testit teorik për pajisjen me leje drejtimi të drejtuesve të ardhshëm ulet koha e shërbimit dhe ulet mundësia e falsifikimeve.

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: