Nga: VALENTINA MADANI*
TIRANE – Demokratët janë afër hyrjes në Kuvend ditën e mërkurë dhe shpresat i kanë te ndërkombëtarët, negociatat me të cilët do të vijojnë edhe sot. Këtë shpjegim u dha dje deputetëve të PD-së, lideri i opozitës, Lulzim Basha gjatë mbledhjes së grupit parlamentar me dyer të mbyllura. Burime brenda grupit bëjnë të ditur për “Gazeta Shqiptare” se Basha bëri një përmbledhje të detajuar të situatës që nga korriku, kur ndodhi agresioni fizik në parlament ndaj deputetit, Gent Strazimiri dhe pas të cilit opozita mori vendimin për të braktisur Kuvendin. Basha u shpjegoi deputetëve edhe bisedimet që po kryhen me negociatorët e Parlamentit Europian, sipas të cilit do të vijojnë edhe sot përmes telefonit. Por gjatë mbledhjes së djeshme në mesditë mësohet se disa deputetë kanë kërkuar hyrjen në Kuvend të opozitës, ndërkohë që diskutimet kryesisht janë përqendruar tek informimi se deri në çfarë pike kanë arritur negociatat me ndërkombëtarët. Burimet sqarojnë për “GSH” se deputetja demokrate Mesila Doda ka kërkuar rikthimin në Kuvend, ndërkohë që Astrit Patozi ka ironizuar me mbledhjen e grupit pas 4 muajsh. “Zoti kryetar, faleminderit që ke mbledhur grupin parlamentar pas 4 muajsh dhe mirë që erdhi z.Kukan që ne po bëjmë mbledhje grupi pas 4 muajsh. Meqë jemi pa praninë e mediave, mund të kemi një informacion se cilat janë pikat konkrete të marrëveshjes dhe deri ku kanë shkuar negociatat?”, – deklaroi Patozi. Nga ana e tij, kreu i PD-së mësohet të jetë shprehur: “Në bisedimet me dy europarlamentarët kemi arritur shumë pranë arritjes së marrëveshjes. Tashmë është mazhoranca që duhet të japë vendimin e saj. Kemi kërkuar një parlamentarizëm efikas dhe zbatimin e të drejtës së opozitës”. Por ish-kryeministri Sali Berisha është shprehur skeptik ndaj mazhorancës duke thënë që nëse nuk ka një marrëveshje, opozita duhet të vijojë bojkotin. “Nëse nuk ka marrëveshje, nuk duhet të thyejmë bojkotin. Unë jam për konsultim me qytetarët. Duhet të mblidhen forumet drejtuese, përfshirë edhe Këshillin Kombëtar për këtë vendim. Shpreh mirënjohje për angazhimin e ndërkombëtarëve në zgjidhjen e një problemi tërësisht fondamental të funksionimit të demokracisë shqiptare. Është bërë një punë, siç na informoi kreu në mbledhje dhe e vërteta është që në dukje palët janë afër, por unë që e njoh mirë atë, ju garantoj ai është thimoksinë. E ka shumë të vështirë, ka një koncept rudimentar dhe armiqësor ndaj opozitës. E konsideroj bojkotin një mbrojtje të imponuar, por mes demokracisë dhe bojkotit zgjedh gjithnjë demokracinë, sepse duhet të mbrohet demokracia”, – është shprehur Berisha. Duke folur për mediat, pas mbledhjes se grupit, kryetari Basha shprehu besimin se përpjekja e europianëve për zgjidhjen e ngërçit politik në Shqipëri do të kurorëzohet me sukses. “Nga ne nuk ka asnjë pengesë dhe nuk do të ketë kurrë asnjë pengesë për përmbylljen me sukses të këtij procesi për të cilën janë të ndërgjegjësuar edhe ndërmjetësit europianë të të dyja krahëve politikë, të Partisë Popullore Europiane dhe të Partisë Socialiste Europiane. Duke qenë në proces negociatash nuk më mbetet gjë tjetër veçse të shpreh besimin se përpjekja e tyre, përpjekja europiane do të kurorëzohet me sukses. T’i bëj thirrje maxhorancës që të jetë konstruktive në përmbylljen me sukses të këtij procesi, që shpreh një shqetësim të jashtëzakonshëm të qytetarëve shqiptarë dhe ka mobilizuar si rrallë herë në një front të bashkuar të majtën dhe të djathtën europiane”, – deklaroi kreu i PD-së Lulzim Basha.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: