TIRANE- Deputeti i Partisë Demokratike, Astrit Patozi, ka dënuar propozimin e kryeministri Rama për projektligjin për kriminalizimin e shpifjes, që parashikon dënimin me gjobë deri në 3 vite burg. Nga foltorja e Kuvendit, Patozi tha se shtypi ka fituar gjithmonë çdo betejë me politikën, ndërsa u shpreh se një propozim i tij tregon degradimin e qeverisë. Deputeti demokrat nuk ka ndalur as akuzat për Kryeministrin Rama, për të cilin tha se është jashtë kontrollit me këtë nismë të tij.

“S’kisha ndërmend të flisja por qeveria të frymëzon. Ministrja Felaj të na qartësojë si ka ardhur në Kuvend kjo nismë. Kjo qenka vepër e vetë Edi Ramës. Shtypi ka fituar të gjitha betejat e tij me politikën. Asnjëherë pushteti s’ia ka dalë të nënshtrojë opozitën me ligj dhe e vetmja mundësi është autocensuar. Problemi i vetëm është që kemi një Kryeministër jashtë kontrollit. Për vendin kjo është katastrofë sepse i prish punë imazhit të vendit. Vetë Xhafaj tha një ditë që shpifja u hoq nga Kodi Penal, kurse tani do të duhet të mbrojë vetë të kundërtën. Ky amendament nuk është kurrë i votueshëm në këtë sallë. Mbrojtja e Ramës është më shumë se qesharake. Bëri 3 statuse të njëpasnjëshme që në pikë të sabahut. U përpoq të na shpjegojë se e ka me politikanët, që do të thotë se e ka me ne, opozitën. Se si do ta ndajë politikanin me gazetarët dhe qytetarët e tjerë, ai e di. Që prej të hënës, Kryeministrit real i Shqipërisë është ilir Meta. Nuk më dhimbset fare Rama për situatën dëshpëruese që po kalon. Rama është politikani i dy standardeve që ndyshe flet në opozitë ndryshe në pushtet. Në çdo katër shqiptarë, njëri kërkon të ikë nga sytë këmbët. Kështu është katandisur vendi”, tha deputeti Patozi.

Pas kësaj deputeti Patozi debatoi edhe me ministren Felaj në lidhje me projektligjin për shpifjen.

Replika e Patozit me ministren Felaj
Felaj: Ju si forcë politike s’mund të bëni si flamurtarë të lirisë së shprehjes, që në të kaluarën tuaj keni plagosur gazetarë në protestën e 21 janarit, keni detyruar të kërkojnë azil, keni djegur gazeta. Keni raste të turpshme sulmesh ndaj gazetarëve. Jeni të fundit që duhet të flisni për këtë.

Patozi: Për shkak të peshës që zini në këtë qeveri dhe në politikën shqiptare, e cilësoj të tepërt të vijoj të replikoj me ju. Mund ta konsideroni fyerje këtë dhe futeni tek ky ligji i ri që ju do të bëni.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb