Pedagogu i Universitetit ‘Luarasi’, Afrim Osmani, shprehu mbështetje për opozitën në lidhje me shqetësimet mbi praktikën e patronazhistëve, duke e cilësuar këtë situatë si një nga gjërat më të rënda në politikën shqiptare.
I ftuar në studion e News24, ai theksoi se mënyra e organizimit të patronazhistëve ishte më e keqe se ajo e sekretarëve të partisë në të kaluarën.
“Jam plotësisht dakord me opozitën që një nga gjërat më të rënda është historia e patronazhistëve,” tha Osmani.
Ai theksoi se opozita duhet të krijojë një frymë të re dhe të përqendrohet në ndërtimin e një strategjie teknike dhe profesionale për të adresuar këto probleme.
Osmani sugjeroi se është e domosdoshme që opozita të zhvillojë programe të qarta që do t’i japin zgjidhje situatave aktuale, duke e bërë politikën më të afërt me nevojat e qytetarëve.
“Mënyra e organizimit ishte më e keqe se sekretarët e partisë së asokohe. Opozita duhet të kuptojë se duhet të krijojë frymë. Gjithë loja ndërtohet në mënyrë teknike. Duhet të tregojë në mënyrë profesionale si do ta bëjë këtë gjë. Të krijojë programe”, u shpreh ai.