BERLIN- Turistët gjermanë vazhdojnë të shkojnë në masë në Greqi edhe këtë verë, theksoi sot Federata gjermane e Turizmit (DRV), që konfirmon se nuk ka regjistruar asnjë anulim qëndrimi pavarësisht mbylljes së bankave dhe ”jo”-së masive të grekëve në referendumin e të dielës.

“Edhe pas referendumit të 5 korrikut, klientët e operatorëve turistikë i kanë mbajtur projektet e tyre për të udhëtuar dhe nuk kanë anuluar qëndrimet e tyre”, nënvizoi DRV në një komunikatë duke theksuar se Greqia, plazhet e saj dhe dielli, do të jetë edhe këtë verë një prej destinacioneve të preferuara për pushime për gjermanët.

“Rreth 200 000-250 000 gjermanë ndodhen aktualisht me pushime në Greqi, një numër që pritet të rritet këto ditët apo javët e ardhshme”, sipas të njëjtit burim.

Vitin e kaluar, rreth 2,5 milionë gjermanë kanë shkuar në Greqi, një shifër në rritje prej 8,5 për qind në raport me vitin 2013. Një tendencë që pritet të rritet akoma më shumë këtë vit, sipas parashikimeve të realizuara. Turizmi është një sektor jetësor për ekonominë greke, aktualisht në krizë. Ai përbën rreth 20 për qind të PBB-së greke.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: