Marrëveshja e re e nënshkruar në samitin e Procesit të Berlinit parasheh bashkëpunim më të mirë rajonal dhe mobilitet më të madh të studentëve në Ballkanin Perëndimor, por qytetarët e nacionalitetit shqiptar në komunat e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës në Serbi përballen me probleme të vjetra.
Atyre nuk u njihen ende diplomat e marra në Kosovë, përkundër marrëveshjeve të mëparshme, përfshirë një në vitin 2022, e cila ka të bëjë me njohjen reciproke të diplomave universitare.
“I kam humbur të gjitha shpresat se do ta zyrtarizoj në Serbi diplomën universitare që kam marrë në Prishtinë dhe do të punësohem me të në Preshevë ose Bujanoc”, thotë një 30-vjeçare për Radion Evropa e Lirë.
“Unë kam vendosur – do të shkoj te vëllai im në Zvicër, ku derisa të gjej punë, do të kujdesem për fëmijët e tij”, thotë ajo, duke u shprehur e zhgënjyer me të gjithë politikanët në Serbi, Kosovë dhe Evropë, të cilët, siç thotë, “e kanë fajin” për problemin e mosnjohjes së diplomave.
Ajo nuk do që të identifikohet, për të mos krijuar, siç thotë, probleme shtesë për veten dhe familjen e saj.
Kryeministrat e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor – Kosovës, Shqipërisë, Serbisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Bosnje e Hercegovinës – nënshkruan Marrëveshjen për qasje në arsimin e lartë dhe pranimin në studime në Ballkanin Perëndimor, në samitin e Procesit të Berlinit më 14 tetor.
Kjo është një marrëveshje e re, qëllimi i së cilës është ta rrisë lëvizshmërinë e studentëve dhe t’u japë atyre të drejtën për të studiuar në institucionet e arsimit të lartë, të akredituara në rajon.
Në komunat e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, qytetarët e nacionalitetit shqiptar presin ende që Serbia të nisë me njohjen e diplomave të marra në fakultetet në Kosovë – gjë që është dashur të zgjidhej qysh pas samitit të Berlinit në vitin 2022.