TIRANË- Kolegji Zgjedhor ka shtyrë vendimin për ankimimin e Partisë Aleanca Popullore për pavlefshmëri të listave të kandidatëve për më 22 maj.

Kolegji u mblodh në orën 10:30, ku relatori i çështjes Astrit Kalaja komunikoi vendimin për shtyrjen e seancës, duke kërkuar edhe praninë e të gjitha partive politike që janë regjistruar në KQZ në proces, si palë interesi.

Gazetarja Klodiana Lala raportoi për “BalkanWeb” se nëse deri më 22 maj nuk ka një vendim politik për datën e zgjedhjeve, atëherë vendimi i Kolegjit merr një rëndësi primare.

Pas vendimit kreu i PAP, Artur Dojaka tha për gazetarët se shtyrja do t’i shërbejë të gjithë atyre 15 partive që kanë depozituar listat.

“Ne e mirëkuptojmë këtë vendim dhe vazhdojmë kauzën tonë në mbështetje të shtetit ligjor. Moslegjitimimi nuk u kërkua nga ana jonë në mënyrë ekstra por për arsye se dokumentacioni që u paraqit nuk ishte i përshtatshëm. Mendoj se Kolegji Zgjedhor duhet të shprehet për ankimimin tonë për pavlefshmërinë e listave, për sa i përket datës së zgjedhjeve do të shihet në vazhdim”, u shpreh ai, duke shtuar se “jemi pro çdo marrëveshje politike”.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb