Nga: DARINA TANUSHI*

TIRANE- Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut është partia e radhës që do të duhet të firmosë një marrëveshje me kryeministrin Edi Rama si kryetar i PS-së, nëse do të pranojë daljen e përbashkët në zgjedhjet vendore.
Burimet pranë saj bëjnë me dije për “Gazeta Shqiptare” se PBDNJ e ka tejkaluar dhe madje pritet që të mos e ketë një nga kushtet e saj, aleancën e mundshme të PS-së dhe LSI-së me PDIUnë e Shpëtim Idrizit. Problemet do të mbeten në zonat ku PBDNJ synon të vendosë kandidatët e saj dhe një nga bashkitë ku negociatat mund të jenë të vështira është ajo e Himarës, të cilën PS do të mbajë për vete. Nga ana e saj, PDIU e Shpëtim Idrizit shfaqi synimet për 5 bashki si: në qarkun e Vlorës, në qarkun e Fierit, në qarkun e Elbasanit, në qarkun e Tiranës dhe në qarkun e Durrësit. Por, ende nuk dihet se çfarë do të vendoset në negociatat mes Idrizit e Ramës.
Nga ana tjetër, kreu i PSD-së, Skënder Gjinushi, së fundi është parë nën shoqërinë e Dritan Priftit dhe nga ana tjetër nuk i është përgjigjur ftesës së parë për një takim me nënkryetarin e grupit parlamentar, Taulant Balla, ku u mblodhën 32 parti aleate të PS-së. Në fakt, ftesa për t’ju bashkuar tryezës së koalicionit i ka shkuar edhe kreut të PDS-së, Paskal Milo, i cili gjithashtu nuk ka qenë i pranishëm në këtë tryezë. Kreu i PDS-së tha në një prononcim për “Gazeta Shqiptare” se nuk kishte një ftesë, ndërkohë nga PS pohohet e kundërta.

Pritet që këto ditë të vendoset takimi i dytë i partive aleate, të cilat ngritën edhe një kryesi ekzekutive të përhershme, e përbërë nga: Taulant Balla dhe përfaqësues të partive aleate, Dhimitër Muslia, Idajet Beqiri, Gjet Ndoj. Në takimin e parë, Balla u kërkoi ndjesë aleatëve për kushtet e parespektuara të marrëveshjeve dhe u premtoi se do të ketë takim dypalësh me secilin prej tyre për të zgjidhur këto problematika dhe për të vënë në vend meritat e gjithsecilit. Gjithashtu, aleatët pritet të shpërblehen me këshilltarë vendorë në këto zgjedhje që vijnë.

(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: