TIRANË- Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut ka denoncuar sot veprimet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në lidhje me caktimin e një vendnumërimi të votave në Konispol. Sipas PBDNJ-së, ambienti që është një kopsht fëmijësh nuk përmbush kërkesat e Kodit Zgjedhor, pasi nuk ka hapësirë të mjaftueshme për të ndjekur këtë proces vëzhguesit dhe përfaqësuesit e mediave.

“Në kuadër të zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore të datës 21 qershor Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, denoncon veprimet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, e cila me propozim të prefektit të qarkut Vlorë dhe me një vendim të saj në të cilin transformon realitetin ka caktuar si vend për numërimin e votave në bashkinë e Konispolit ambientet e një kopshti në këtë qytet i cili dukshëm nuk i përmbush kërkesat specifike të Kodit Zgjedhor, për numërimin e votave e cila është hallka më e rëndësishme e procesit zgjedhor por edhe ajo që ka shfaqur më shumë problematika gjatë proceseve të shkuara zgjedhore. Kjo problematikë vjen për shkak se salla në të cilën është menduar të kryhet numërimi i votave nuk ka hapësirë të mjaftueshme për të ndjekur këtë proces  vëzhguesit dhe përfaqësuesit e mediave”, deklaron PBDNJ.

Më tej kjo forcë politike i kërkon KQZ-së të ndryshojë sa më shpejt këtë situatë në favor të një procesi numërimi transparent dhe që përmbush kriteret dhe standardet e kërkuara.

“Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut shpreson dhe dëshiron të  besoje se kjo situatë e krijuar nuk është e qëllimshme për të manipuluar dhe për të sjellë përplasje gjatë numërimit të votave. Për këtë arsye ne kërkojmë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve  të përpiqet ta ndryshojë sa më parë këtë situatë në mënyrë që procesi i numërimit të votave dhe ai zgjedhor në përgjithësi të jetë i qetë transparent si dhe të përmbushë kriteret dhe standardet e kërkuara nga vendet dhe organizatat partnere ku vendi ynë aspiron të anëtarësohet”, përfundon deklarata e PBDNJ-së.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: