TIRANË- Partia Demokratike deklaroi sot se pas amnistisë së qeverisë, praktikë e çdo fundviti fshihet qëllimi për të falur Armando Prengën si dhe kultivuesit e drogës. PD e dënon këtë amnisti dhe iu ka bërë thirrje deputetëve të ndershëm të mos e votojnë.

Sekretari i Përgjithshëm e PD-së, Arben Ristani deklaroi sot se kjo amnisti shërben kriminelët por nuk fal protestuesit.

“Edi Rama ka përgatitur një amnisti e cila do t’u japë lirinë dhe do të falë kultivuesit e drogës, kriminelët që kanë tentuar të vrasin, kriminelët që kanë dhunuar zgjedhjet.
Kur vendi ka nevojë të luftojë krimin që po shtie në dorë politikën, ekonominë, dhe gjithë shoqërinë, Edi Rama ka zgjedhur të falë kriminelët.

Amnistia qeveritare do të falë Armando Prengën që tentoi të vriste dhe të tjerët si ai, por nuk do të falë qytetarët që protestuan kundër ndërtimit të paligjshëm të parkut të liqenit”, tha Ristani.
Sipas tij, kjo është bërë me qëllim për të dhënë mesazhin se “Amnistia nuk përfshin qytetarët aktivë me qëllim për t’u thënë mesazhin e qartë të gjithë popullit: ata që do të guxojnë të ngrenë zërin dhe të protestojnë kundër qeverisë do t’i presë burgu dhe gjobat”.

“Amnistia do të falë kriminelë me pushtet për t’i qetësuar të gjithë kriminelët e të tjerë në politikë se sa të jetë Edi Rama në pushtet nuk do të ketë dekriminalizim të politikës.

Amnistia po fal kriminelët për t’u thënë atyre se nëse i shërbejnë Edi Ramës, nuk do t’i gjejë kurrë gjë. Amnistia po fal kultivuesit e drogës për t’u dhënë mesazh të gjithë kultivuesve dhe trafikantëve se sa të jetë Edi Rama në pushtet ata mund të kultivojnë dhe trafikojnë drogë dhe nuk do t’i gjejë kurrë gjë. Amnistia po fal dhunuesit e zgjedhjeve për t’i dhënë mesazh të gjithë dhunuesve të votës së lirë se nëse prishin zgjedhjet e ardhshme nën urdhrat e Edi Ramës ata nuk do t’i gjejë kurrë gjë. Amnistia që po bën Edi Rama është goditje për qytetarët e ndershëm, është goditje për dekriminalizmin, është goditje për luftën kundër drogës, është goditje për zgjedhjet e lira”, deklaroi Ristani.

Ai tha se Partia Demokratike e dënon këtë amnisti dhe i bën thirrje deputetëve të ndershëm të mos e votojnë atë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb