Partia Demokratike ka depozituar një kërkesë në KQZ ku kërkon që të ndërhyhet nga policia e shtetit  për të hequr logot dhe simbolet e partisë nga zyrat me qira të koalicionit Euroatlantik të Lulzim Bashës.

Kërkesa është depozituar nga Franc Nuri, përfaqësues ligjor i PD-së, më 21 mars, në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, drejtuar kryekomisionerit Ilirjan Celibashi, si dhe Policisë së Shtetit.

“Jemi vënë në dijeni për keqpërdorimin e simboleve dhe logove të partisë tonë dhe Koalicionit Aleanca për Shqipërinë Madhështore.

Kemi marrë raportime nga mbështetësit tanë se veçanërisht në Njësinë nr. 5 në Tiranë, në rrugën “Nikolla Tupe”, ka logo dhe simbole të partisë tonë te zyra e vjetër”, thuhet në ankesën e depozituar.\

Më tej, në letër thuhet se “përdorimi i këtyre simboleve në prag të fushatës dëmton interesat e ligjme të subjektit tonë”.

“Kërkojmë nga KQZ dhe Policia e Shtetit marrjen e masave për heqjen e këtyre simboleve, logove dhe stemave nga këto zyra”, theksohet më tej.

Më herët ka pasur edhe një kërkesë tjetër për heqjen e logove nga një prej zyrave me qira të degëve të marra nga Basha për zgjedhje, ku kishte tabela të PD-së. Ato u hoqën menjëherë pas urdhrit të KQZ-së.

Lulzim Basha aktualisht e ka dërguar rekursin e vulës në Gjykatën e Lartë dhe pret një vendim prej saj.

Kërkesa e PD, drejtuar KQZ-së

“Kjo kërkesë e jona ka të bëjë me aspekte të dezinformimit dhe të (keq)përdorimit publik nga disa individë të simboleve, logove dhe emblemës së Partisë Demokratike, simbole të cilat ka edhe subjekti zgjedhor “Partia Demokratike Aleanca për Shqipërinë Madhështore” PD-ASHM, koalicion zgjedhor i cili udhëhiqet nga Partia Demokratike.

Konkretisht, shqetësimi ynë vjen pas raportimeve nga degët tona në terren, ku konkretisht jemi informuar se në Njësinë nr. 5 në Tiranë, në Rrugën Nikolla Tupe, ekziston një ambient privat i veshur me simbolet e vjetra të Partisë Demokratike, të cilat prej shumë kohësh nuk përdoren subjekti ynë politik (bashkëngjitur fotot e ambientit në fjalë).

Përdorimi i këtyre simboleve në ambiente publike, në fazën kur fushata zgjedhore zyrtare nis për pak javë, po dëmton interesat e ligjshme të subjektit tonë. Nga ana tjetër, ky ambient privat nuk duhet të konsiderohet (qëllimisht apo gabimisht) si ambient / zyrë elektorale e PD nga ana e KQZ.

(Balkan Web)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb