TIRANE – Duke sjellë në vëmendje deklaratën e prokurorit të antimafias së Leces për trafikun e drogës dhe armëve nga Shqipëria, Partia Demokratike deklaron se “eshtë normale që të shqetësohen autoritetet e vendit fqinj për trafikun e drogës, kur bandat e narkotrafikut përdorin makinën personale të Saimir Tahirit, gezojnë imunitet të plotë dhe nuk preken dot nga policia.”

Deputeti Keltis Kruja tha se “droga ka mbuluar vendin, dhe ministri i rendit është këmbë e krye i lidhur me trafikun e trafikantët”. Kruja përsëriti kërkesën e demokratëve për largimin nga detyra të ministrit Tahiri.

DEKLARATA E PLOTE E KELTIS KRUJES
“Prokurori i antimafias së Leces, Cataldo Motta, bëri para dy ditësh një deklaratë tronditëse.
Ai tha se droga nga Shqipëria në Itali vazhdon me të njëjtat ritme, duke theksuar edhe narkotikët e fortë të Afganistanit që kalojnë tranzit në vendin tonë, por më shqetësuesja thotë zyrtari i lartë Italian, është se tani ka nisur edhe trafiku i armëve.
Prokurori i antimafias tha gjithashtu se krerët e këtyre grupeve kriminale që veprojnë në Itali e më gjerë, gjenden në Shqipëri.
Këto këmbana alarmi nga vendi fqinj vijnë në kohën kur Shqipëria është mbuluar nga droga, dhe kur në krye të ministrisë së rendit, qendron personi i akuzuar me prova e me fakte si i lidhur drejtpërdrejt me bandat e trafikut.
Eshtë normale që të shqetësohen autoritetet e vendit fqinj për trafikun e drogës, kur bandat e narkotrafikut përdorin makinën personale të Saimir Tahirit, gezojne imunitet të plotë dhe nuk preken dot nga policia.
Sigurisht që trafiku i drogës drejt Italisë do të vazhdojë kur të afërmit e ministrit, një grup kriminal i mbajtur nën vëzhgim, të njohur si kontigjentë, përdorin edhe makinën e ministrit, edhe skafin e tij.”
Edi Rama mund të vazhdojë me propagandën e tij, mund të vazhdojë të jetë krenar me Saimirin e targës AA003GB, por e vërteta që dinë autoritetet italiane është ndryshe, është tronditëse. E vërteta që dinë qytetarët shqiptarë është ndryshe. E vërteta është se droga ka mbuluar vendin, dhe se ministri i rendit është këmbë e krye i lidhur me trafikun e trafikantët. Ka vetëm një rrugë. Largimi i tij nga detyra dhe nisja e një hetimi të plotë e serioz.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: