Drejtuesi i Departamentit të Emigracionit dhe Diasporës, Bardh Spahia zhvilloi një vizitë në SHBA, ku u takua me drejtues të diasporës, shoqatave të Emigracionit dhe përfaqësues të politikës amerikane në nivel qendror e lokal.

Nje takim me senatorin e shtetit të New York, Marty Golden Spahia vlerësoi rolin e SHBA në kauzat e dekriminalizimit dhe Reformën në Drejtësi duke theksuar se kryeministri Rama dhe pushteti i tij mbajnë peng sistemin dhe kërkojnë që reforma ta kthejë drejtësinë në vasalitetin e qeverisë dhe interesave të saj.

Spahia e njohu senatorin amerikan me përpjekjet dhe qëndrimet e opozitës dhe kryetarit Lulzim Basha për dekriminalizimin e politikës, qeverisë Parlamentit dhe institucioneve shqiptare nëpërmjet një fushate të gjerë denoncimesh për afera korruptive dhe kriminale. Zoti Spahia tha se PD kërkon vetëm zbatimin e parimeve të Komisionit të Venecias për Reformën në Drejtësi, si autoriteti më i lartë dhe garantuesi ndërkombëtar në këtë çështje.

Spahia njohu senatorin amerikan dhe me programin e PD për ringritjen e vendit, ku u përqëndrua tek strategjia e antikorrupsionit, për çlirimin e shtetit nga kapja e krimit, ulja e barrës fiskale dhe ngritja e një klime të favorshme biznesi.

Në takim me kryetarin e bashkisë së Cliffside z, Tomas Calabrese në shtetin e Në Jersey, ku jeton komuniteti më i madh i shqiptarëve, ky i fundit i shprehu zotit Spahia konsideratat më të larta për diasporën dhe emigrantët shqiptarë si një faktor i rëndësishëm në zhvillimet politike dhe social-ekonomike të SHBA.Spahia theksoi se Departamenti i Emigracionit dhe Diasporës në PD ka një program për integrimin dhe rolin e komunitetit të Diasporës dhe emigrantëve të SHBA në sektorë të ndryshëm.

Me anëtarin e njohur të diasporës z. Mark Gjonaj u diskutua mbi gjendjen aktuale në Shqipëri duke theksuar rolin e opozitës për të siguruar një reformë në drejtësi që siguron pavarësi dhe integritet në zbatimin e ligjit.

“Lufta ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit që po cënojnë rëndë sigurinë e qytetarëve por edhe imazhin e Shqipërisë, është kauzë kombëtare dhe kërkon angazhimin edhe të Diasporës dhe emigracionit këtu në SHBA” tha z. Spahia.

Votimi elektronik si shprehje e vullnetit të emigrantëve dhe Diasporës në zgjedhjet e ardhshme, ishte temë tjetër takimit dhe me kryetarin e shoqërisë Vatra z. Gjon Bucaj, ku u cilësua si një hap kryesor në reformën zgjedhore, dhe si një kërkesë e kahershme të komuniteti shqiptar në SHBA.

Spahia tha se Edi Rama dhe mazhoranca, nuk mund të vazhdojë më të mashtrojë diasporën dhe emigracionin me retorikë politike sepse votimi elektronik do të sjellë një shprehje të vullnetit të lirë dhe të drejtë të shqiptarëve që jeton nëpër botë.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: