TIRANË- Partia Demokratike bën përgjegjës kryeministrin Edi Rama për aksidentin ku humbi jetën një 17-vjeçar mesnatën e kaluar në aksin Vlorë- Uji i Ftohtë. Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Arben Ristani ka hedhur akuza në adresë së Kryeministrit Edi Rama duke thënë se ‘Lungomarja e ferrit për vlonjatët gjatë sezonit turistik, është kthyer në lungomaren e vdekjes’.

“Një i ri humbi jetën dje aty, për shkak të një grope në lungomare dhe në vend që qeveria e Edi Ramës të mbante përgjegjësi për mungesën e sinjalistikës për punimet që vazhdojnë pa fund e janë kthyer në makth për qytetarët, për gropat që lë pas kudo, rend t’ua kalojë, siç bën gjithmonë, përgjegjësinë të tjerëve, fajin tek viktimat”, tha sot Ristani.

Ai shtoi se “ndërsa vrasjet, vdekjet nga aksidentet, varfëria, mjerimi, papunësia shtohen, Edi Rama vazhdon të shijojë qejfet e tij nga Neë Yorku në Paris nga Milano në Mynih”.

“Sot çdo shqiptar e di që Edi Rama e donte pushtetin për veten e tij, për të rendur pas suksesit të munguar si piktor, për të blerë bileta mijëra dollarëshe, për të ndjekur ndeshjet e NBA në Majami, vizitat në stadiumin e Bajernit të Munihut apo pazaret në dyqanet më të shtrenja të botës”, përfundoi Ristani.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: