TIRANE- Partia Demokratike nuk tërhiqet nga kërkesat e saj për zbatimin e dekriminalizimit, duke kërkuar edhe në seancën e sotme plemnare që të çohet në Kushtetuese mandati i deputetit Rakip Suli dhe deputetes Valentina Leskaj. Pas mbajtjes së një minute heshtje për viktimat e Brukselit, deputeti i PD-së Eduard Halimi tha se Parlamenti një javë më parë bëri grusht shteti kur rrëzoi kërkesën e opozitës për të çuar në Gjykatën Kushtetuese heqjen e mandatit të Sulit.

Sipas PD-­së, Suli akuzohet për përfitim të fondeve publike gjatë kohës që gëzon mandatin e deputetit.

“Rrëzimi i kërkesës së Partisë Demokratike për të çuar në Gjykatën Kushtetuese mandatin e dy deptuetëve që kanë abuzuar me fonde publike, është grusht shteti për këtë gjykatë. Një vit më parë ne iu drejtuam Gjykatës edhe për Koço Kokëdhimën. Gjykata nxori një vend ku thotë se maxhoranca nuk mund të bëhet mburojë, nuk mund t’i kthejë deputetët në të paprekshëm. Ky Parlament nuk mund të jetë kurrë i banditëve dhe abuzatorëve. Sot kemi një Parlament që kanë hyrë persona me rekorde të tmerrshme personale dhe rrinë krah për krah me ne. Kemi një Parlament që deputetët marrin fonde publike me leje të kryeministrit dhe Parlamenti refuzon t’i çojë para drejtësisë dhe ata rrinë krah për krah me ne. Ndaj dhe në këto kushte opozita dhe gjithë qytetarët janë të vendosur që ky Parlament nuk mund të vazhdojë funksionin e tij”, tha deputeti Halimi.

Pas fjalës së tij, deputetët demokratë bllokuan foltoren e Kuvendit duke mos e lënë Rakip Sulin t’i përgjigjet Halimit.

Halimi: Moszbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese, fundi i parlamentarizmit
z. Kryetar i Kuvendit,
Në seancën e kaluar ku maxhoranca në abuzim të plotë të pushtetit, rrëzoi kërkesën e PD për të çuar para drejtësisë dy deputetë të cilët dyshohen se kanë përfituar fonde publike, është akti më i rëndë, pas mbajtjes dhe futjes në parlament të deputetëve me rekorde të tmerrshme kriminale. Injorimi me arrogancë i vendimit të Gjykatës Kushtetuese që nuk i lë asnjë hapësirë Parlamentit, por kërkon që të gjithë deputetët që dyshohen se kanë përfituar fonde publike të shkojnë para drejtësisë, është padyshim grusht shteti ndaj Gjykatës Kushtetuese dhe është një fund i parlamentarizmit dhe funksionimit të një demokracie parlamentare.

Abuzimi me pushtetin duke mbrojtur një vit më parë deputetin Kokëdhima na detyroi që ti drejtohemi Gjykatës Kushtetuese duke e pyetur, në interpretim të Kushtetutës. Se çfarë ndodh kur Kryeministri mbron deputetët kur akuzohen për marrje fondesh me leje të tij? Çfarë ndodh me deputetët që marrin para me leje të kryeministrit? A bëhen të paprekshëm për drejtësinë se kryeministri nuk i lëshon, nuk ia dërgon drejtësisë? Pa asnjë më të voglin dyshim mburoja kryeministrore për deputetët për t’i bërë të paprekshëm është abuzive, është vrastare për Kushtetutën, është vrastare për shtetin ligjor, është vrastare për demokracinë, për parlamentin, dhe pa dyshim për Gjykatën Kushtetuese.

Qeveria që qeveris jashtë normave dhe kornizave ligjore dhe kushtetuese, është tirani. Shkruhet kështu në kështu në muret e Kongresit Amerikan. Një qeveri që e bën zero Gjykatën Kushtetuese e injoron me arrogancë atë, nuk ka asnjë sjellje tjetër përveçse një sjellje prej grushti shteti. Prania e opozitës brenda parlamentit, është elementi më i rëndësishëm për një demokraci funksionale. Detyra e opozitës është të sigurojë transparencën në vendimmarrjen politike. Ndaj pyetëm Gjykatën Kushtetuese. Çfarë ndodh kur kryeministri me arrogancë kërkon ti mbrojë e ti bëjë të paprekshëm deputetët e tij kur ata dyshohen se kanë abuzuar me fonde publike. Gjykata Kushtetuese, një vit më vonë, pak muaj më parë, foli dhe nxori këtë vendim. Vendimi nr. 7, dt. 24.02.2006, që flet për z.Kokëdhima por bën edhe interpretimin e Kushtetutës, gjë që sipas Kushtetutës është e njëjtë me normën Kushtetuese. Ky vendim i Gjykatës Kushtetuese është kthyer në normë kushtetuese. Dhe ky

vendim i Gjykatës Kushtetuese, thotë se Kryeministri, maxhoranca nuk mund të bëhet mburojë. Nuk mund ti kthejë deputetët në të paprekshëm ndaj sistemit të drejtësisë. Detyra e opozitës, thotë vendimi i Gjykatës Kushtetuese, në paragrafin 13 të tij është të bëjë transparencë për procesin e qeverisë. Detyra e opozitës është të kërkojë llogari. Detyra e opozitës është të bëjë denoncime. Për denoncimet e opozitës nuk është maxhoranca që vendos, është drejtësia. Këtë thotë Gjykata Kushtetuese.

Në vendimet e Gjykatës Kushtetuese, ishte një nga tre pikat për të cilat u bë marrëveshja e 24 dhjetorit. Dhe ja ku është vendimi i Gjykatës Kushtetuese i cili u injorua dhe u shkel me arrogancë vetëm e vetëm për të mbrojtur nga drejtësia të paprekshmit, ata që kanë përfituar fonde publike me leje personale të kryeministrit dhe duke ushtruar pushtetin e shumicës.


(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: