TIRANË- Vijojnë akuzat nga Selia blu për kryeministrin Edi Rama. Deputeti Luçiano Boçi tha sot se Ramën me Brukseli e lidhin vetëm skandale duke risjellë në vëmendje lajmet e fundit të shtypit belg për projektin “Atelier Albania”.

“Pas zbulimit te skandalit korruptiv të Edi Ramës nga autoritetet belge me projektin e tij Atelier Albania, kryeministri ynë ka zgjedhur heshtjen. Asnjë shpjegim prej tij, edhe pse nisja e hetimeve për Peter Swinen, arkitekt i qeverisë flamande, i ka çuar dyshimet drejt e tek Rama. Sipas shtypit belg, Peter Swinen, miku i Edi Ramës, i zgjedhur prej tij për të menaxhuar Atelier Albania, ka ndikuar në shpalljen e fituesit të konkursit. Ka favorizuar  mikun e tij”, tha Boçi.

Sipas tij “Atelier Albania” është punishtja e Edi Ramës nga ku do të fabrikohen interesat e tij dhe të klientelës së tij, siç ishte ai i Lungo Mares”. Boçi akuzoi Ramën se ka favorizuar fituesin për “Lungomaren” në mënyrë të padrejtë. Ai tha se njohja e Ramës me arkitektin në fjalë është e hershme që në kohën kur kryeministri ishte kreu i Bashkisë së Tiranës.

“Është zbuluar se gara për ngritjen e kësaj punishteje ka qenë e pandershme, dhe fituesi është favorizuar në mënyrë të padrejtë. Autoritetet belge dhe mediat atje kanë konstatuar se asgjë nuk është rastësi, por një kalkulim i menduar mirë, që vjen prej njohjeve të hershme të arkitektit nën hetim me Edi Ramën. Njohje që kanë nisur nga koha e Bashkisë së Tiranës, ku ky arkitekt ishte i preferuari i Ramës dhe shfaqej pas çdo projekti. Një nga këta, sheshi “Skënderbej”, një simbol i çrregullit, i kaosit, i nëpërkëmbjes së qytetarëve, që jo vetëm mbajti Tiranën të bllokuar për 4 vite por që në fund nuk parashikonte as zgjidhje për trafikun”, tha ai.

Deputeti demokrat deklaroi se i njëjti arkitekt ka bërë edhe “sarajet e Edi Ramës në Surrel”.

“Miqësia me arkitektin nën hetim ka kulmuar me projektin e tij për sarajet e Edi Ramës në Surrel. Të gjitha këto fakte të nxjerra nga autoritetet belge e shtypi belg. Por Edi Rama hesht edhe pse arkiva me skandale që lidhen me Belgjikën po pasurohet dukshëm.

Pasi rezultoi si bllokues e fshehës i kërkesës së Interpol Brukselit për deputetin e tij, tani Edi Rama po shfaqet edhe me aferën e korrupsionit me arkitektin e qeverisë flamane.

Sot asgjë tjetër nuk e lidh Edi Ramën më shumë me Brukselin, se sa skandalet e tij. Akte këto të kryeministrit, krejt të kundërta nga ato që kërkon anëtarësimi dhe qendra e Bashkimit Europian”, u shpreh Boçi.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: