TIRANË-Partia Demokratike deklaron se mbetet e pa lëkundur në nismën për dekriminalizimin e Parlamentit. Në një deklaratë për mediat deputeti I PD-së Fatbardh Kadilli u shpreh se dekriminalizimi është interesi më i lartë publik, dhe do të bëhet me çdo kusht. Më tej ai akuzoi kryeministrin Edi Rama se është kundër këtij procesi.
“Edi Rama u shfaq sot sërish kundër dekriminalizimit, duke i shtuar avokatisë së tij për inkriminimin edhe shpifje të ulëta. Partia Demokratike nuk pret që Edi Rama, i cili u hapi banditëve, tutorëve e vrasësve dyert e pushtetit, te administratës dhe të Parlamentit, të jetë në favor të dekriminalizimit.
Ne nuk presim që Edi Rama të jetë në favor të interesit jetik të vendit që është çlirimi i politikës dhe zyrave nga të inkriminuarit. Dekriminalizimi sjell në fakt fundin e skemës politike të Edi Ramës, rrëzon patericën ku ai mbahet”- u shpreh Kadilli.
Më tej ai theksoi se nuk ka si të jetë pro dekriminalizimit një kryeministër që fsheh letrat e Interpolit për deputetin e tij që kërkohet për vrasje, dhe që ndikon drejtësinë për të dhënë pafajësi për vrasje, të gjitha këto për të mbyllur paktet e hesapet e tij dhe të ortakut Meta. Por dekriminalizimi është interesi më i lartë publik, dhe do të bëhet me çdo kusht.
“Qytetarët shqiptarë, partnerët ndërkombëtarë dhe Partia Demokratike e kanë të palëkundur vullnetin për të shpëtuar vendin nga sundimi i krimit”- përfundoi deputeti I PD-së.

(a.n/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: