Tenderi prej 30 milionë eurosh i Ministrisë së Brendshme për uniformat e policisë, aferë korruptive, shkurtohet afati i tenderit në kundërshtim me ligjin. Favorizohet klienti i qeverisë.
Përmes ish deputetes Lealba Pelinku, PD ka denoncuar sot tenderin e Ministrisë së Brendshme për uniformat e policisë.
“Gjuetia e preferuar e Ministrave të Brendshëm të Edi Ramës është tenderi 30 milionë euro me uniformat e policisë. Kësaj rradhe, mënyra e gjetur për të vjedhur është paracaktimi i fituesit përmes shkeljes së procedurave ligjore për rregulla të barabarta loje dhe konkurencë të drejtë në treg.
Për të përjashtuar garën në tenderin e hapur pak ditë më parë, Ministria e Brendshme ka përgjysmuar afatin minimal të parashikuar në ligj për t’u bërë pjesë e tenderit dhe për të plotësuar kushtet e tij.” tha Pelinku, ndërsa shtoi se Partia Demokratike do ta ndjekë me vëmendje këtë tender dhe do të denoncojë çdo akt korruptiv që fut duart e Ministrit të Brendshëm apo të kujtdo tjetër në 30 milionë euro para publike.
Deklarata e Plotë:
Kur bëhet fjalë për abuzimin me miliona euro, Sandër Lleshaj nuk ndryshon nga paraardhësit e tij Saimir Tahiri apo Fatmir Xhafaj.
Gjuetia e preferuar e Ministrave të Brendshëm të Edi Ramës është tenderi 30 milionë euro me uniformat e policisë.
Kësaj rradhe, mënyra e gjetur për të vjedhur është paracaktimi i fituesit përmes shkeljes së procedurave ligjore për rregulla të barabarta loje dhe konkurencë të drejtë në treg.
Për të përjashtuar garën në tenderin e hapur pak ditë më parë, Ministria e Brendshme ka përgjysmuar afatin minimal të parashikuar në ligj për t’u bërë pjesë e tenderit dhe për të plotësuar kushtet e tij.
Ligji i Prokurimit Publik parashikon një afat minimal 52 ditor, por Sandër Lleshaj, në shkelje të ligjit, ka vendosur shkurtimin e afateve për ata që duan të konkurojnë në 24 ditë.
Ky është një afat kohor i pamjaftueshëm për të përmbushur detyrimin ligjor që dikton kushte të barabarta gare dhe konkurence.
Shkelja e të tilla garancive ligjore është tregues direkt se kemi të bëjmë me një aferë korruptive. Kemi të bëjmë me një pazar mes atij që drejton Ministrinë e Brendshme dhe klientit të paracaktuar, për favorizimin e të cilit ngushtohen ditët e garës dhe shmangen konkurentët e tjerë.
Shkelja flagrante e rregullave në këtë tender 30 milionësh të uniformave të policisë tregon se kushtet ku operon sot prokurimit publik në Shqipëri janë kushtet e një pazari mafioz. Kur dy banda mbyllin pazarin, siç ka ndodhur në rastin e tenderit të uniformave, askush nuk duhet lejuar të ndërhyjë e të prishë pazarin.
Gjithçka ndodh në kurriz të qytetarëve shqiptarë, të cilët vidhen hapur nga një qeveri që ka ardhur në pushtet me vota të vjedhura me bandat dhe krimin e organizuar.
Partia Demokratike do ta ndjekë me vëmendje këtë tender dhe do të denoncojë çdo akt korruptiv që fut duart e Ministrit të Brendshëm apo të kujtdo tjetër në 30 milionë euro para publike.
(BalkanWeb)