TIRANË – Partia Demokratike ka denoncuar sot dy raste të reja korrupsioni: Paracaktimin nga kryebashkiaku Vangjush Dako, të kompanisë që do të mbledhë tarifën e parkimit në sheshin kryesor të Durrësit dhe pasurimin e kompanisë EAG, në favor të Ministrit të Mirëqënies Sociale, Erion Veliaj.


Tenderi i parkimit më 21 dhjetor, Dako e ka zgjedhur fituesin


“Sheshi më i madh në qytetin e Durrësit “26 nëntori 1912”, i është dhënë një subjekti privat në përdorim për mbledhjen e tarifës së parkimit pa konkurs dhe tender, – ka deklaruar sot PD-ja. – Bashkia Durrës ka shpallur tenderin për në datën 22 dhjetor 2014 për të shpallur fituesin, por prej një muaji një subjekt privat ka nisur punën duke përdorur sheshin.


Sipas kryetarit të PD-së së Durrësit Osman Stafa, kryebashkiaku Vangjush Dako ka paracaktuar fituesin e garës. “Në realitet ky shesh ka një muaj që është bërë dhuratë si për festat e fundvitit miqve të Vangjush Dakos. Partia Demokratike mbështet çdo iniciativë ligjore, iniciativën e lirë dhe biznesin privat, por denoncon me gojën plot kryebashkiakun i cili merr vendime në kundërshtim me ligjin. Abuzon në emër të ligjit dhe pasurisë publike. I kujtojmë Prokurorisë që ka dosje të arkivuara për z Dako dhe të fillojë ti shkundë ato dosje. Të mos veprohet me dy standarde”, tha Stafa.

Deputeti Oerd Bylykbashki nga ana e tij shtoi se ky veprim përbën vepër penale dhe jo vetëm përgjegjësi politike. “Kjo është e papranueshme. Nëse kemi një garë të hapur që e ka afatin nesër, çdo veprim që është deri më tani është shkelje ligji dhe ka jo vetëm përgjegjësi politike e publike por edhe penale. Në fakt kjo është prova se si ky pushtet po shpërndan pasurinë publike, po shpërndan paranë publike tek klientët të tij nepërmjet tenderash fallso”, – tha Bylykbashi.

Specialistja denoncon korrupsionin e Erjon Veliajt tek Ministri Veliaj

Deputeti Bedri Hoxha denoncoi sot një rast të ri korrupsioni qeveritar. “Pak ditë më parë, dhe kjo është e freskët në arkivat e medias, – tha ai ai sot, – Edi Rama u kërkoi qytetarëve t’i drejtoheshin atij për të denoncuar korrupsionin. U kërkoi qytetarëve që t’i drejtoheshin edhe ministrave për të denoncuar korrupsionin.

Ja ku kemi këtu ankesën e zonjës Gjonaj, specialiste në agjensinë e Veliajt, drejtuar Edi Ramës. Ankesë drejtuar edhe ministrit Veliaj. Zonja Gjonaj denoncon tenderin fiktiv, shkeljen e ligjit me motiv përfitimin, pra denoncon korrupsionin. Me fakte e me informacion konkret. Denoncon presionin e vazhdueshëm që drejtoresha e Veliajt i ka bërë për të firmosur që EAG të merrte para nga taksat e qytetarëve për një produkt e shërbim që ekzistonte.

Çfarë bëri Edi Rama me këtë ankesë të qytetares Gjonaj?! Asgjë. Sigurisht as ministri i tij. Edi Rama nuk i ka kthyer përgjigje specialistes Gjonaj sepse ai e ka lejuar korrupsionin të ndodhë.
Me Edi Ramën lindi, u rrit dhe po pasurohet kompania EAG, që i përket ministrit dhe stafit të tij të ngushtë. U tha qytetarëve me shkruani, denonconi korrupsionin. Ja ku e ka rastin konkret. I vetmi reagim ndaj këtij rasti të pastër korruptiv, ku agjensia e Veliajt i jep 25 milionë lekë EAG-së, është kërcënimi i vazhdueshëm ndaj specialistes që nuk u pajtua me shkeljen e ligjit dhe që u ankua tek Edi Rama,” – përfundoi Hoxha.

(ar.sh/BalkanWeb)