Anëtari i Kryesisë së PD, Grigels Muçollari denoncoi një tjetër skandal, sipas tij, që lidhet me betonizimin e kryeqytetit.
Përmes një deklarate për mediat nga selia blu, Muçollari tha se Qeveria do të japë stadiumin ‘Selman Stermasi’ tek miku i kryeministrit për ta kthyer në një mal betoni.
Duke zbuluar detajet e projektit, anëtari i Kryesisë së PD bëri të ditur se hapësirat anësore të stadiumit do të kthehen në ndërtesa shumëkatëshe.
“Me 120 mijë metra katrorë në dispozicion, është e sigurtë qē aty ku ishte stadiumi emblematik i qytetit, do të lindë një mal betoni, ku përfituesi, mik i Ramës do të ketë shansin të behet pronar i dhjetëra mijë metrave me çmimin më të lartë nē Tiranë”, tha Muçollari.
Deklarata e plotë
Do të donim që ditën e fundit të vitit të kishim vetëm urime për vitin e ardhshëm por fatkeqësisht jemi këtu për të denoncuar një akt në dëm të qytetarëve të Tiranës.
Edi Rama nuk humb kohë kur është fjala për të ndarë me miqtë e tij pronat më të çmuara të Shqipërisë, siç është stadiumi Selman Stermasi dhe asetet e tij, në zemër të Tiranës.
Ashtu siç kemi paralajmëruar, projekti për gjasme rijetëzimin e pronave shtetërore, nuk është tjetër vetëm një maskim për projektin klientelist të kullave qindra milionë euroshe, ku publiku, qytetarët, që janë pronarët e vërtetë, nuk përfitojnë asgjë.
Përkundrazi, teksa Rama me miqtë e tij shtojnë pasuritë, për banorët e Tiranës shtohet betoni, rriten çmimet dhe shtrëngohet dhe më shumë jetesa, ngushtohen edhe ato pak hapësira rekreative që kanë ngelur.
Korporata e Investimeve ka shpallur konkursin pak ditë më parë ku fton firmat për të paraqitur idetë për kullat tek ish-stadiumi Dinamo.
Njoftimi lë të kuptohet që projekti do të ketë parasysh zhvillim financiar e interesa ekonomike dhe pak flitet për sportin e futbollin
Me 120 mijë metra katrorë në dispozicion, është e sigurtë qē aty ku ishte stadiumi emblematik i qytetit, do të lindë një mal betoni, ku përfituesi, mik i Ramës do të ketë shansin të behet pronar i dhjetëra mijë metrave me çmimin më të lartë nē Tiranë.
Hapësirat pranë stadiumit, në vend që të ishin fusha që u krijojnë mundësinë të rinjve të merren me sport, apo kënde çlodhëse për fëmijët e të moshuarit, do të shndërrohen në godina betoni.
Nga mënyra si është hartuar procedura, nga kriteret e shpallura, duket qartë se e gjitha është një pajë për klientin, fitues i paracaktuar.
I paracaktuar në paradhomat e Kryeministrit.
Në fund të mandatit, asgjë nuk ka ndryshuar tek Edi Rama.
Ai e konsideron Tiranën dhe Shqipërinë si pronën e tij, të cilën e ndan sipas interesave.
Shfaqjet me juri e me skena, e me ekrane, janë thjesht mbulim i babëzisë për pasurim.
Qytetarêt e Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë nuk mund ta lejojnë më Edi Ramën të sillet si pronar i pasurive dhe jetës se tyre, kështu qe urimi im sot për ju është: le të jetë ky viti ku në shqiptarët e ndalim njëherë e mirë këtë sundues abuziv me taksat dhe pronat publike.
(BalkanWeb)