TIRANË- Partia Demokratike ka dorëzuar sot në Kuvend draftin e përgatitur për dekriminalizimin. Deputeti i PD-së, Oerd Bylykbashi i ka bërë thirrje Kuvendit ta votojë sa më parë ligjin pasi sipas tij, dekriminalizimi nuk mund të ndalet nga mungesa e vullnetit të Ramës e Metës.

“Sot Partia Demokratike paraqiti zyrtarisht në Kuvend ligjin e po‎saçëm për dekriminalizimin. Ky ligj i hap rrugën largimit të menjëhershëm të kriminelëve nga parlamenti, pushteti vendor dhe çdo funksion publik dhe ndalon kandidimin e tyre në të ardhmen. Ky veprim konkretizon aksionin dy-vjeçar moral dhe politik te Partisë Demokratike kundër penetrimit dhe kapjes së shtetit nga krimi në marrëveshje me krerët e kësaj mazhorance”, tha Bylykbashi.

Ai sqaroi gjithashtu se “Ligji i depozituar në Kuvend është në përputhje me modelet më të mira europiane dhe botërore si dhe standardet e vendosura nga Gjykata e të ‎Drejtave të Njeriut e Strasburgut dhe Komisioni i Venecias”.

“Nisma e sotme legjislative është përgjigje për zvarritjen dhe bllokimin e qëllimshëm të procesit dhe komisionit të dekriminalizimit‎ nga mazhoranca, në shkelje të hapur të marrëveshjes së 24 dhjetorit, marrëveshje e arritur me ndërmjetësimin e Parlamentit Europian. Vullneti i opozitës për dekriminalizim nuk mund të ndalet nga mungesa e vullnetit e Ramës dhe Metës. Qytetarët shqiptarë nuk mund të mbajnë në kurriz njollën e turpit që i ka vënë pakti i kësaj mazhorance me krimin. Shqiptarët meritojnë një pushtet publik të pastër dhe të denjë. Eshtë koha për Kuvendin ta votojë këto ligje pa asnjë vonesë dhe pretekst dhe t’ia heqë njollën e turpit shqiptarëve”, theksoi deputeti i PD, Oerd Bylykbashi.
LIGJI PER DEKRIMINALIZIMIN
AMENDAMENTET KUSHTETUESE PER DEKRIMINALIZIMIN
SHKRESE PERCJELLESE E AKTEVE TE DEKRIMINALIZIMIT

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: