TIRANË- Partia Demokratike ka akuzuar sërish sot kryeministrin Edi Rama për vdekjen e 52-vjeçarit në burgun e Rrogozhinës, i cili u vetëvar në kushtet e depresionit, pasi ishte arrestuar për vjedhjen e energjisë.

Sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun në PD, Grida Duma e ka quajtur “represion i urdhëruar nga Rama që i mori jetën babait të 3 fëmijëve”

“I gjithë opinioni publik është tronditur nga ngjarja tragjike ku një kryefamiljar, bashkëshort dhe baba i tre fëmijëve i dha fund jetës në qeli pasi po mbahej atje prej dy muajsh nga represioni i dhunshëm e çnjerëzor frymëzuar e urdhëruar nga Edi Rama. Gjithkush ka shprehur revoltën dje nga kjo ngjarje, sidomos kur u mësua se fatkeqi nuk ishte aspak vjedhës energjie, por e paguante atë. Ekspertët kanë zbuluar se jo vetëm nuk kishte diferencë, me mënyrën se si ai kishte lidhur dyqanin e tij me sahatin familjar, por përkundrazi e paguante edhe më shtrenjtë energjinë”, ka deklaruar Duma.

Sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun në PD tha se “Babai i tre fëmijëve kishte bërë atë që kanë bërë mijëra qytetarë në vend që duan të mos mbyllin biznesin e vogël me të cilin ushqejnë familjen, pasi OSHE-ja e Edi Ramës nuk të përgjigjet asnjëherë për kërkesat që mund të kesh”.

Duma deklaroi se vetëm Rama nuk ka treguar ndjeshmëri për aktin tragjik të 52-vjeçarit. “Vetëm një njeri në Shqipëri nuk ka treguar asnjë lloj ndjeshmërie për këtë dramë, që nuk është vetëm e një të ndjeri, por e mbarë vendit. Ky është Edi Rama, i cili e ka shumëfishuar dhimbjen e familjes lushnjare e të afërmve të viktimës, por dhe të mbarë opinionit publik, duke e cilësuar hajdut burrin që protestoi ndaj padrejtësisë duke u vetëflijuar”, tha ajo.

Sekretarja për marrëdhëniet me publikun në PD tha se “Rama e shpalli vjedhës edhe pas vdekjes babain e 3 fëmijëve dhe gënjeu publikisht”.

“Ky është reagimi i vetëm i përgjegjësit kryesor, për humbjen e kësaj jete, goditja e mëtejshme e viktimës. Pasi i mori jetën me skemën e tij anti-humane, me represionin e verbër policor, Edi Rama, e vazhdoi luftën ndaj babait të tre fëmijëve duke e shpallur vjedhës, pas vdekjes. Duke gënjyer publikisht në fakt, dhe gënjeshtra e tij solli edhe më shumë revoltë dje, pasi qartazi u pa se 52-vjeçari nuk abuzonte me energjinë, ai e paguante atë”, theksoi Duma.

Ajo ka dalë në mbrojtje të viktimës, i cili sipas saj nuk përbënte rrezik për shoqërinë por megjithatë u mbajt në burg sikur të ishte kriminel.

“As i rrezikshëm për shoqërinë, as në kushtet për të manipuluar provat, as në arrati të mundshme, ky kryefamiljar u mbajt në arrest burgu, sikur të ishte kryebandit që kërcënon shoqërinë. Kemi ndërkohë këtu rastin e një debitori të pashembullt, energjie, me 38 milionë lekë. A është ai në burg? Jo, është njeri i Edi Ramës, dhe është drejtor rajonal për Mjedisin në Gjirokastër”, tha Grida Duma.

Ajo e akuzoi më tej kryeministrin se “mbron drejtorin e tij hajdut” dhe nuk gjen një çast për të ngushëlluar. “E mbron Kryeministri drejtorin e tij hajdut 38 milionësh, dhe nuk gjen një çast për të ngushëlluar një qytetar me borxh 35 mijë lekësh të vjetra, që dha jetën prej urdhrit të tij, prej politikës së tij, por e diskreditoi edhe pas frymës së fundit. Edi Rama në fakt u vetëdiskreditua, duke dalë para shqiptarëve, ashtu i plotë siç është, i pandjeshëm, arrogant, cinik i pashpirt, i padurueshëm më”, tha Duma.

Ajo ka bërë thirrje për protesta, pasi sipas saj Edi Rama shkeli çdo normë e moral.

“Qytetarët e vendit e kanë kuptuar mirë edhe më parë se dje. Por kjo e djeshmja ishte përtej çdo të keqe të përfytyrueshme. Edi Rama shkeli çdo normë e moral, çdo kod të shqiptarit. Ai hodhi në erë vetë karrigen e tij. Tiranët kështu e nisin theqafjen e tyre, kur tregojnë faqe publikut gjithë përmasat çnjerëzore. Shqiptarët do t’ia tregojnë derën. Më të bashkuar se kurrë, në protestë për liri, mirëqenie e dinjitet”, përfundoi Grida Duma.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb