TIRANË- “Kampioni i korrupsionit, Ilir Beqaj, po vazhdon fushatën e tij të spastrimit të infermierëve e personelit shëndetësor në rrethe, duke larguar nga puna dhjetëra profesionistë që kanë një jetë në shërbim, thjesht e vetëm për të nxjerrë paratë që i duhet të ndajë për koncesionet qindra milionë euroshe të miqve të tij dhe të Edi Ramës”. Kështu ka deklaruar sot, Partia Demokratike. Në një deklaratë për mediat, nëndrejtori i Departamentit të Shëndetësisë, Gazment Koduzi tha se nuk ka asnjë studim për shkurtimin e personelit mjekësor dhe jo-mjekësor, asnjë referencë apo analizë, asnjë konsultim. Sipas tij, këto shkurtime bëhen pa transparencë, në mënyrë tinëzare.

“Dhjetëra infermierë e personel të hedhur në rrugë, nga veriu në jug. 30 janë larguar në Mirditë, 90 në Shkodër, 60 në Tepelenë, 49 në Pukë, 36 në Lushnje, 30 në Dibër, dhe priten këto ditë qindra largime të tjera në spitalet e vendit. Fshesa Beqaj, që ka vetëm një interes, sigurimin e parave për biznesin e tij dhe të Ramës në shëndetësi, jo vetëm po shkakton dramë sociale tek profesionistët që flaken në rrugë e tek familjet e tyre, por po degradon më tej gjendjen e spitaleve, duke e bërë të pamundur ofrimin e shërbimeve të specializuara”, tha ai.

Koduzi theksoi se Partia Demokratike i dënon me forcë këto masa skandaloze e korruptive.

“Ne mbështesim protestën e infermierëve dhe personelit mjekësor dhe i bëjmë thirrje të ngrihen në rezistencë e të mos tërhiqen para kësaj padrejtësie e arrogance të dyshes Rama-Beqa. Partia Demokratike i siguron këta profesionistë, infermierë, sanitarë e personel shërbimi mjekësor, se do të kthehen në detyrë, e do të rifitojnë dinjitetin e tyre, sapo qytetarët të na japin përgjegjësinë e drejtimit të vendit”, tha përfaqësuesi i PD-së.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb