TIRANË- Deputeti i Partisë Demokratike, Eduard Halimi deklaroi sot se kryeministri Rama nuk ka asnjë strategji për luftën ndaj korrupsionit në drejtësi dhe se fsheh periudhën kur paguhej ryshfet për promovimet e gjyqtarëve.

“Reforma në drejtësi është një reformë jashtëzakonisht e domosdoshme për vendin dhe të ardhmen europiane të tij. Dje doli e qartë se Rama nuk ka patur në programin e vetë para 2 vjetësh asnjë strategji për reformën në drejtësi. Nuk ka patur dhe as ka sot pas 2 vjetësh asnjë program, asnjë vizion, asnjë strategji me plane konkrete, hapa konkrete, afate konkrete për luftën ndaj korrupsionit në drejtësi”, është shprehur Halimi.

Më tej ai tha se gjatë 2 viteve ajo që Rama bëri ishte vetëm zëvendësimi i karrigeve në drejtësi duke vendosur aty militantët e PS-së, ish-pushtetarë të PS-së dhe ish-gjyqtarë të diktaturës.

“I vetmi lajm që shpërndau nga aktiviteti në mediat pranë tij ishte se gjyqtarët kanë paguar ryshfet për promovimin e tyre, duke fshehur kohën kur kjo ndodhte. Me presidencën e Nishanit mori fund njëherë e mirë periudha e ryshfeteve për promovimin e gjyqtarëve. Presidenti Nishani i hoqi një njollë të madhe drejtësisë me ndershmërinë dhe përkushtimin e tij. Por papagalli fshehu kohën kur kjo ndodhte sepse e ka tashmë në prehër të akuzuarin ndërkombëtar për ryshfetet në drejtësi”, përfundoi Deputeti i PD-së, Eduard Halimi.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: