HOLANDE- Ndërkohë që opozita ka paralajmëruar një protestë ditën e shtunë, për të kërkuar largimin nga detyra të ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, ky i fundit vijon normalisht punën. Ditën e sotme, ministri Xhafaj ka nisur një vizitë pune në Holandë, së bashku me ministren e Drejtësisë, Etilda Gjonaj.

Në ditën e parë të kësaj vizite, ata u pritën në një takim të veçantë nga Kryetari i Bashkisë së Roterdamit, Ahmed Aboutaleb. Në këtë takim mori pjesë, po ashtu, edhe Kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj.

Që në fillim të takimit Aboutaleb, vlerësoi vizitën e autoriteteve të larta nga Shqipëria, si një mundësi shumë e mirë përveç të tjerave, për të parë nga afër si funksionon në Roterdam ai që quhet trekëndëshi i sigurisë komunitare: Bashki – Polici – Prokurori.
Gjonaj Holande
“Përfaqësues të këtyre tre institucioneve dhe stafet e tyre respektive, takohen rregullisht çdo javë për të diskutuar çështje të rendit dhe sigurisë në qytet, kjo edhe për peshën që ky qytet zë në Holandë. Ky takim është po ashtu një mundësi të trajtojmë së bashku çështje shqetësuese për të dy palët, e parë kjo në këndvështrimin e perspektivës së hapjes së negociatave BE – Shqipëri”, tha ai.

Ministrat shqipparë falënderuan në mënyrë të veçantë Kryetarin e Bashkisë së Holandës për mbështetjen që ai i ka dhënë çështjes shqiptare, sidomos pas vizitës së tij në Tiranë, në nëntor të vitit të kaluar.
Xhafaj Holande
Ministri Xhafaj vlerësoi organizimin e takimit me ministrin e Drejtësisë dhe Sigurisë, si dhe dakordësimin për firmosjen e një dokumenti bashkëpunimi dypalësh.

“Kjo do t’i japë një dimension të ri bashkëpunimit dypalësh, përfshi këtu edhe Ministrinë e Drejtësisë dhe Prokurorinë. Një dokument i tillë do të na japë mundësinë të punojmë së bashku për çështje që janë shqetësuese për të dy palët”, tha ministri Xhafaj.

Në këtë kontekst, ministri Xhafaj theksoi se po shikon me shumë seriozitet mundësinë e caktimit të një oficeri të Policisë së Shtetit të dedikuar vetëm për Roterdamin. Ai iu referua eksperiencës shumë të mirë me Gjermaninë lidhur me funksionimin e Task Forcës Antiskifter dhe hodhi idenë që kjo gjë mund të bëhet edhe me Roterdamin, pas analizave përkatëse të situatës.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb