TIRANË- Partia Demokratike ka pranuar ftesën e kreut të Kuvendit, Ilir Meta për të rinisur sërish negociatat për gjetjen e konsensusit 2 ditë para se drafti i ndryshimeve kushtetuese të shkojë në parlament për votim.

Në një njoftim pak pas deklaratës së Metës, PD shpreh gatishmërinë për t’u ulur në tryezën e bisedimeve për 2 çështjet e mbetura pezull mes opozitës e maxhorancës. PD kërkon që këto bisedime të jenë të hapura për median.

“Partia Demokratike vlerëson propozimin e Kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta dhe shpreh gatishmërinë për t’u ulur menjëherë në tryezën e bisedimeve me negociatorët e mazhorancës dhe ekspertët e huaj për të konkluduar pozitivisht me zgjidhje, për dy çështjet e mbetura, që u dakordësuan mbrëmë, e më pas papritur u zhbënë në orët e vona të natës. Me qëllim që negociatat të jenë transparente dhe në sytë e mbarë shqiptarëve PD mbështet propozimin që këto negociata të jenë hapura për median”, deklaron PD, e cila shprehet optimiste dhe thekson se zgjidhja është afër.

“Zgjidhja është afër dhe Partia Demokratike është gati të japë edhe njëherë kontributin e saj pozitiv për një draft kushtetues sipas propozimit hibrid dhe në përputhje të plotë me Komisionin e Venecias. Shqiptarët nuk meritojnë provokime të ulëta dhe as lojëra politike me reformën në drejtësi, ndaj ftojmë mazhorancën të ulemi së bashku dhe të negociojmë në kushte transparence totale para shqiptareve për t’u dhënë zgjidhjen që ata meritojnë”, deklaron PD.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: