TIRANË-Partia Demokratike ka vijuar dhe ditën e sotme akuzat ndaj kryebashkiakut të Tiranës Erjon Veliaj mbi cështjen e vdekjes së të miturit Ardit Gjoklaj në Landfillin e Tiranës.
Sekretarja e Marrëdhënieve me Publikun, Grida Duma solli në vëmendje një video ku flet kryebashkiaku Veliaj. “Dëgjojeni pak thirrjen publike të këtij që sot hesht, censuron mediat e që po bllokon zbardhjen e të vërtetës për aferën e madhe kriminale e korruptive të landfillit të Sharrës”, thotë Duma.

Në video Veliaj shprehet: “Dua t’u bëj thirrje të gjithë atyre që sot e sigurojnë jetesën e tyre, duke ndërhyrë në koshat e bashkisë, që ta lënë atë punë të paligjshme, për të punësuar edhe 200 punonjës të tjerë, për ta çuar në 400. Ne mund të punësojmë pa fund njerëz që realisht duan të punojnë”.

Sipas Dumës, thirrjes së Veliajt iu përgjigjën shumë të rinj, që në realitet, tha ajo, gjetën në landfill një mashtrim të madh.
“Këtë thirrje ka bërë Erjon Veliaj më 16 mars të këtij viti. Pra lini punën e paligjshme dhe hajdeni në landfillin e Sharrës. Ardit Gjoklaj e shumë të tjerë iu përgjigjen kësaj thirrje.
Po ajo çfarë gjetën atje, ishte një mashtrim i madh i Erjon Veliajt.
Vdekja e Arditit, dhe investigimi më tej nga disa media tregoi se Lanfilli i Veliajt dhe partnerit të tij, kryetarit socialist të Peqinit, që nuk i dorëzohet drejtësisë, ishte një ferr paligjshmërie.
Të mitur, burra e gra që punonin të pasiguruar.
Shfrytëzoheshin deri fëmijë 10 vjeç.
Shfrytëzoheshin me tre turne, në atë punë të rëndë e sfilitëse, për fare pak lekë”.

Sipas Duma, thirrja e Veliajt dërgoi drejt vdekjes të miturin, Ardit Gjoklajn.
“Me këtë thirrje publike, Erjon Veliaj e coi drejt vdekjes Arditin. Ai është padyshim përgjegjësi kryesor, jo vetëm se administron landfillin që është biznesi i tij, por sepse i garantoi publikisht njerëzit për ligjshmëri. Me fjalën e tij shkuan të punonin hallexhinjtë, që u kthyen në skllevër”.

Sekretarja e Marrëdhënieve me Publikun theksoi se provat janë të qarta dhe se fton prokurorinë të marrë në pyetje kryebashkiakun.
“Çfarë pret prokuroria të marrë në ndjekje penale Erjon Veliajn?
Pse Erjon Veliaj qëndron mbi ligjin?
Pse hesht e nuk ka thënë asnjë fjalë prej 2 javësh për ngjarjen e rëndë?
Pse i bën mediat të heshtin, dhe mediat kombëtare madje që hiqen si të pavarura?
Partia Demokratike do të kërkojë deri në fund drejtësi për Arditin dhe drejtësi për Arditin do të ketë, sado të përpiqet Erjon Veliaj ta mbyllë këtë krim”.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb