TIRANË

Kryeministri Edi Rama është parë ndryshe para mediave në takimin e sotëm. Një fjalim të gjatë, pa ndërprerje dhe me tone më të prera se çdo herë tjetër, kreu i qeverisë u shpreh i vendosur për të bërë zgjedhje edhe të vetëm në 30 qershor dhe për të larguar opozitën e vjetër nga politika.

Ai theksoi se marrëveshjet nuk funksionojnë sepse PD ka ndërruar qimen e jo zakonin, ndërsa kundërshtarin e tij politik Lulzim Bashën e krahasoi me një qime që nuk bëhet dot zakon.
Rama tha se nuk pranon asnjë kusht dhe se do respektohet Kushtetuta. Nuk mungoi as paralajmërimi për ata që duan të prishin zgjedhjet.

PJESË NGA FJALA E RAMËS
Kemi ardhur në një pikë ku duhet t’i dalim zot Shqipërisë që duam. Kur Shqipëria ka nisur të marrë trajtat e para të një shteti kërcënohet.
Jo sot, dje kisha ikur unë nëse nuk do ta shihja katranin me bojë që qeverisi deri dje Shqipërinë.
Jo nesër, sot iki unë nëse nuk do kisha mësuar historinë e këtij vendi dje.
Hetimet deri në fund, po duhen çuar në burg këdo që kapet me blerje votash.
Kur ishte në pushtet ajo parti na ka lënë të dergjemi 23 ditë në grevë urie në mes të Bulevardit për një copë komisioni hetimor.
Pse kemi qenë shumica qeverisëse më e hapur dhe më dorështrirë ndaj opozitës, sepse askush, ndonjëherë se ka imagjinuar atë që bëmë ne në 2017. E bëmë që të mbyllet njëherë e mirë çadra e politikës së çmendur. Siç e shohim nuk funksionoi. Por doli më keq. Filloi shiu, çadrat u shtuan si kërpudha, kërpudhat u shkatërruan dhe filluan bombat mbi kryeministrinë.
Këtë gërdi të re e thonë se e bëjnë për të mos u përsëritur ajo e 2017-ës.

Këta në vend se të qëndronin dhe të ndërtonim së bashku mbi atë stad tjetër përsërisin pa pushim që nuk e përsërisim kurrë atë mëkat. Kurrë më marrëveshje me dialog, por pengmarrje e procesit politik me bomba. Ajo marrëveshje nuk funksionon dhe asnjë marrëveshje nuk funksionon sepse PD ka ndërruar qimen por jo zakonin. Lulzim qimja që nuk bëhet dot zakon.
Deri kur PD nuk ndërron zakon nuk do ketë asnjë shans për të sfiduar PS.
Shpirti i kësaj partie është doktori i gabuar jo kryetari i llakuar.
Kushte nuk ka. Kushtetutën e kemi të njëjtë dhe si të tillë na takon ta respektojmë.
Kush i afrohet një Qendre Votimi me mendje të keqe djeg veten jo zgjedhjet.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: