Prokuroria e Posaçme ka kërkuar nga Prokuroria e Tiranës që të hetojë në lidhje me veprimet e policisë së Shtetit gjatë protestës së mbajtur nga Partia Demokratike më 23 dhjetor 2024.
Sipas dokumentit të firmosur nga kreu i SPAK, Altin Dumani, ekzistojnë indicie që veprimet e policisë mund të përbëjnë vepra penale të parashikuara nga nenet 90, 248, 250, 251, 253 dhe 261 të Kodit Penal.
“…nga të dhënat e ofruara deri më tani konstatohet se orientohen në drejtim të veprave penale të parashikuara nga nenet 90, 248, 250, 251, 253, 261 të Kodit Penal.
Nëse pas verifikimeve apo hetimeve të kryera nga ana juaj, do të rezultojnë elementë të figurave të veprave penale të parashikuara nga neni 75/a i Kodit të Procedurës Penale, apo ku autorë të mundshëm të veprës penale, do të jenë subjekte për hetimin e të cilëve kompetente është Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, të na ridërgohen aktet e procedimit penal në fjalë.
Përsa më sipër, ju përcillet për kompetencë materiale kallëzimi i mësipërm, pas parasysh kompetencën lëndore dhe territoriale, në respektim të nenit 75/a, 76 dhe 28 të K.Pr.Penale.” thuhet në shkresën e Altin Dumanit.