TIRANË- Partia Demokratike, do të kallëzojë penalisht Policinë e Shtetit, INUK, INUV, Inspektoratin e Mjedisit dhe firmën që po ndërton tek Liqeni. Sipas Sekretarit të Përgjithshëm të PD, Arben Ristani në shkelje të hapur të ligjit, kanë shpërdoruar detyrën dhe kanë mundësuar veprën penale të ndërtimit pa leje e kryer në bashkëpunim,  parashikuar nga neni 199/a i Kodit Penal.

“Qindra qytetarë shqiptarë që janë arrestuar e burgosur, vetëm se pse lyenin shtëpitë e tyre ‘pa leje’, ndërronin një tjegull në çatinë e tyre ‘pa leje’, dergjen burgjeve ose dyerve të gjykatave si të ishin kriminelë. Nga ana tjetër Policia e Shtetit, INUK, INUV dhe Inspektorati i Mjedisit, nuk bënë asnjë veprim për të marrë në mbrojtje një pasuri publike siç është Parku i Liqenit dhe për të parandaluar, apo për ti vënë para ligjit, shkelësit, dhunuesit dhe autorët e këtij ndërtimi në kundërshtim me ligjin, që janë Bashkia Tiranë dhe firma Grand”, deklaroi Ristani.

Ai tha se protesta e organizuar nga Partia Demokratike ishte një protestë në mbrojtje të ligjit dhe ligjshmërisë së shkelur nga pushteti!

“Ishte një protestë kundër paligjshmërisë dhe arbitraritetit flagrant të Edi Ramës dhe lakeut të tij në Bashki. Policia, INUK dhe INUV, autorë të qindra procedimeve penale ‘për ndërtim të paligjshëm’, nuk mund të arrestojnë dhe procedojnë qytetarët e Tiranës, për fajin e vetëm, pse mbrojtën ligjet dhe ligjshmërinë e shkelur me të dyja këmbët nga dhunuesit e ligjit”, theksoi ai.

Ristani shtoi më tej se deputetët e Partisë Demokratike, gjatë gjithë ditës së sotme kanë qenë të angazhuar në lirimin e qytetarëve që dje ishin në mbrojtje te ligjit.

“Ne kërkojmë me forcë ndërprerjen e represionit policor ndaj qytetarëve dhe ndëshkimin sipas ligjit të shkelësve të vërtetë të ligjit që ndodhen në Polici, INUK, INUV dhe Inspektoratin Mjedisor, të cilët, me veprimet dhe mosveprimet e tyre, garantuan shkeljen dhe moszbatimin e ligjit dhe shkatërrimin e pasurisë publike, sipërfaqes së gjelbër në Parkun e Liqenit”, u shpreh deputeti demokrat.

Në emër të Partisë Demokratike Ristani i kërkoi Prokurorisë, të veprojë me urgjencë dhe energjikisht për të liruar nga arrestimi i paligjshëm qytetarët, që po mbronin ligjin e shkelur, dhe të vërë para përgjegjësisë penale, ligj-shkelësit e vërtetë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: