TIRANË

Nënkryetari i PD-së Edmond Spaho ka dalë sot para mediave duke akuzuar kryeministrin Edi Rama se po thellon paligjshmërinë e 30 qershorit. Spaho tha se Ramës nuk i pritet që të pushtojë Bashkinë e Kamzës dhe ka urdhëruar prefekten e Tiranës të mbledhë nesër Këshillin Bashkiak të Kamzës.

Për këtë arsye, deklaroi ai Partia Demokratike ka depozituar në Prokurori kallëzimin penal për Prefekten e Tiranës, Suzana Jahollari, pasi ka zbatuar urdhrin e paligjshëm të Edi Ramës
“Padurimi i Edi Ramës për të kontrolluar çdo pushtet në vend dhe, nëpërmjet tij, të grabisë çdo pasuri të vendit, e ka shtyrë atë në thellimin e paligjshmërisë së 30 Qershorit, duke urdhëruar prefektin e Tiranës të uzurpojë kompetencat e pushtetit lokal në Bashkinë e Kamzës.
Këshilli Bashkiak i Kamzës ishte thirrur për konstituim në datën 14 Gusht nga Sekretari aktual i Këshillit, por, në shkelje flagrante të ligjit, Prefektja e Tiranës ka vendosur që e njëjta mbledhje të bëhet nesër, sepse Edi Ramës nuk i pritet që të pushtojë Bashkinë e Kamzës.
Ligji i pushtetit lokal ia jep këtë kompetencë sekretarit aktual, por, megjithëse ai e ka ushtruar atë rregullisht, duke thirrur konstituimin e Këshillit Bashkiak të Kamzës brenda afatit, përfaqësuesja e Edi Ramës ka vendosur të cenojë autonominë e pushtetit lokal dhe të uzurpojë kompetencën e sekretarit të këshillit bashkiak”, deklaroi Spaho.

Ai theksoi se Partia Demokratike e dënon me forcë këtë akt të paligjshëm të Prefektës së Tiranës, duke e konsideruar atë një ndërhyrje flagrante të qeverisë në ushtrimin e kompetencave të pushtetit lokal.

“Për këtë arsye, Partia Demokratike ka depozituar në Prokurori kallëzimin penal për Prefekten e Tiranës, Suzana Jahollari. Duke zbatuar urdhrin e paligjshëm të Edi Ramës, ajo ka shpërdoruar detyrën dhe duhet të përgjigjet para drejtësisë.
Mbledhja e paligjshme e Këshillit Bashkiak të Kamzës është një rast më shumë që tregon se kryebashkiakët ilegjitimë të 30 Qershorit nuk do t’i shërbejnë interesit publik, nuk do të marrin vendime në interes të qytetarëve. Ata do të jenë vetëm disa kukulla të tjera në duart kriminale dhe hajdute të Edi Ramës”, u shpreh Spaho.

Ligji Per Keshillin
Ligji Per Keshillin

Po sipas PD, Përveç Kamzës, prefektja e Tiranës, Suzana Jahollari ka shkelur ligjin edhe me thirrjen e mbledhjes së Këshillit Bashkiak të Vorës.
“Ndonëse ka një shkresë të sekretarit të këtij këshilli për të bërë mbledhjen e kontituimit me 14 gusht, prefektja ka ndërmarrë në kundërshtim me ligjin veprimin e thirrjes së mbledhjes në një datë tjetër. Në bazë të shkresës së firmosur nga sekretari aktual i Këshillit Bashkiak të Vorës, Lulzim Vrana, konfirmohet mbledhja brenda afateve që përcakton ligji. Ndërkohë që prefektja edhe pse ka pasur shkresën e sekretarit të Këshillit Vrana në zyrë, shkresë kjo me numër protokolli 4080, datë 02.08.2019, në kundërshtim me çdo ligj ajo ka thirrur mbledhjen në një datë tjetër, duke konstituuar këshillin bashkiak të Vorës një ditë më parë, në mënyrë joligjore dhe ilegale. Sipas ligjit mbledhja thirret nga sekretari në detyrë I Këshillit Bashkiak. Vetëm në rast se ky institucion nuk e ushtron këtë akt ligjor, atëherë mbledhjen e thërret Prefekti. Në rastin e Vorës, prefektja Jahollari e ka pasur shkresën për thirrjen e mbledhjes në tavolinë që në datë 2.08.2019, por e ka injoruar duke thirrur mbledhjen në shkelje ligjore”, thekson PD.

Prefektja Per Voren
Prefektja Per Voren

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb