TIRANË- Partia Demokratike ka akuzar sot nëpërmjet deputetit Keltis Kruja, kandidatin e ASHE-së për Tiranën, Erion Veliaj se nuk bën transparencë për fondet e fushatës së tij, pasi është i korruptuar. Kruja deklaroi se deri më 7 qershor, Veliaj ka shpenzuar 437 mijë euro vetëm me spote televizive, duke paraqitur edhe dokumentet e monitorimit.

“Erion Veliaj nuk bën transparencë sepse është i korruptuar. Ai tha mbrëmë se ka 108 milionë lekë të vjetra për fushatën e tij. E vërteta është se deri më datë 7 qershor, ai ka shpenzuar 437 mijë euro vetëm me spote televizive. Ja ku është dokumenti i monitorimit nga MCMonitoring. Nëse shtojmë dhe shumën e brandimit dhe mbajtjes së 250 zyrave elektorale në Tiranë dhe shpenzimet ditore të aktiviteteve të tij të luksit, e flamujt e pafund, fushata e Erion Veliajt e ka kaluar me kohë shifrën e 1 milionë eurove”, tha deputeti i PD-së.

Ai i kujtoi rastin e Luiza Gjonajt, e cila u shkarkuar nga puna, sipas Krujës pasi denoncoi aferat e paligjshme të kompanisë së vëllait të Veliajt.

“Erion Veliaj nuk bëri transparencë mbrëmë për rastin e Luiza Gjonajt, të cilën e shkarkoi nga puna sepse ajo denoncoi aferat e paligjshme të kompanisë së vëllait të tij, EAG. Veliaj tha se e ka hequr Gjonajn sepse ajo nuk është paraqitur në punë. Ja çfarë thotë vendimi i Gjykatës Administrative, ku zonja Gjonaj ka fituar gjyqin: Pavlefshmëri absolute të procedimit disiplinor; Kthimin e zonjës Gjonaj në detyrë; Dhënien e pagës për zonjën Gjonaj deri në momentin e kthimit në punë. Pra gjykata hedh poshtë deklaratat e Veliajt”, u shpreh ai.

Deputeti demokrat ka renditur disa raste ku sipas tij nuk ka pasur transparencë. “Erion Veliaj nuk bëri transparencë për fondet që ka marrë vëllai i tij. Ja ku është shkresa e degës së thesarit. 540 milionë lekë ka marrë EAG, që është kompania e vëllait të kandidatit, është e njëjta kompani me Goglen e tij, në të njëjtën adresë në të njëjtën zyrë. Pse nuk bën transparencë, sepse ky është abuzim i pastër. Erion Veliaj nuk bën transparencë për lidhjen e tij, përmes bashkëshortes, me paratë e Dzanashvilit. Ai fshihet pas një argumenti mjeran, që paska qenë turni i gruas së tij, e punësuar në një zyrë avokatie. Por e vërteta është se lidhjet e zotit Veliaj me këtë zyrë avokatie janë të vjetra e të forta. Ja ku është dokumenti i QKR që tregon se vëllai i Erion Veliajt, ka hapur kompaninë Gogel pikërisht me ortakun Floran Pustina, i cili ka zyrën avokatore, ku punon Ajola Xoxa, përfaqësuese me prokurorë, me të drejta të plota e Dzanashvillit”, u shpreh Kruja.

Në përfundim deputeti Kruja theksoi se “Erion Veliaj nuk bën transparencë, sepse është i korruptuar dhe fsheh burimin e milionave që po shpenzon në këtë fushatë zgjedhore”.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: