TIRANE
Në një kohë që PD në mbledhjen e grupit diskutoi djegien e mandateve, vjen edhe një reagim nga kampi i LSI. Përmes disa postimeve në faqen e tyre të “Facebook”, kanë reaguar edhe deputetet Kejdi Mehmetaj, Florida Kërpaçi, Klajda Gjosha dhe Endrit Braimllari.
Deputetja Kejdi Mehmetaj shkruan se mandatet janë të qytetarëve jo të deputetëve.
“Mandatet nuk janë të deputetëve por të qytetarëve! Ata folën qartë dhe fort ditën e shtunë. ‼️Kundër regjimit kriminal të Edi Ramës”, shkruan Mehmetaj.
Deputetja Floida Kërpaçi shkruan se mandatet e deputetëve nuk kanë vlerë kur helmohet populli.
“Ç’vlerë ka mandati kur ai helmon popullin e tij?”, shkruan ajo.
Nga ana tjetër, Klajda Gjosha shkruan se shqiptarët meritojnë rikthimin e demokracisë së munguar
“Konsensusi i vetëm i opozitës është të djegë qeverinë e dalë nëpërmjet zgjedhjeve të inkriminuara dhe vjedhjes së votës. Shqiptarët meritojnë rikthimin e demokracisë së munguar”, shprehet ajo.
Deputeti Endrit Braimllari nuk kursen akuzat ndaj kryeministrit Edi Rama që ka kthyer parlamentin në një strehë të krimit të organizuar.
“Edi Rama e kthehu Parlamentin ne strehe te krimit te organizuar. Ky Parlament eshte i krimit te organizuar dhe jo i qytetareve.
Ketij Parlamenti i dhimbset me shume kallçuku dhe kerpudha e Edi Rames sesa jeta e qytetareve”, shkruan Braimllari.
Pak më i paqartë në qëndrimin e tij është Shezai Rrokaj. Ai shkruan në Facebook se: “A e zgjedh mazhoranca opozitën? Në një kuptim të parë jo, sepse ato janë grupime me qasje të ndryshme për progresin social. Por në një kuptim tjetër sjellja e mazhorancës qeverisëse tek ne ka thirrur në skenë një opozitë e cila duhet t’u japë zgjidhje disa problemeve të mprehta sociale, si: Të kthejë shpresën me qëllim që vendi të mos braktiset prej qytetarëve për shkak mungesës së saj, që vjen prej keqqeverisjes. Të ngrihet dhe t’u prijë qytetarëve kundër taksave të larta dhe papunësisë, për një arsim cilësor e shendetësi për të gjithë. Të ngrihet kundër drejtësisë së kapur dhe regjimit oligarkik të PPP-ve, kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe drogës. Të ngrihet kundër blerjes së votave, për zgjedhje të lira. Të kërkojë çeljen e negociatave. T’u kthejë besimin qytetarëve se kjo opozitë nuk do të përsërisë gabimet e së shkuarës as edhe gabimet e kësaj qeverie. Gjendja e sotme e shqiptarëve nuk lë shteg për interpretime. Mazhoranca me qëndrimet e saj është drejt diktaturës nëpërmjet kapjes së shtetit në të gjitha hallkat e tij, kurse opozita duhet të veprojë pa mëdyshje duke marrë përgjegjësinë që i takon për të nxjerrë vendin nga kjo situatë”.
(BalkanWeb)