DURRËS- Pasi u rrëzua buxheti i vitit 2017-të, duket se kryebashkiaku Dako nuk do të dorëzohet, por do të thërrasë sërish Këshillin Bashkiak në mbledhje, brenda këtij viti, duke shpresuar që këshilltarët e LSI-së të kenë ndryshuar qëndrim.

Duke iu referuar burimeve brenda këshillit bashkiak, gazetarja Klodjana Haxhiaj konfirmoi për BalkanWeb se Këshilli Bashkiak mund të mblidhet sërish në një nga këto ditë, para mbylljes së 2016-ës, pasi kryebashkiaku Dako shpreson të marrë votat e këshilltarëve të LSI-së.

Por burime të LSI-së, bëjnë me dije se nuk ka asnjë shans që kryetari Dako të thërrasë mbledhjen e këshillit bashkiak brenda 2016-ës që të pretendojë miratimin e tij, kjo sepse duhen 5 ditë që të lajmërohen këshilltarët, si dhe drafti i buxhetit duhet të përpunohet në bazë të propozimeve të bëra.

Këshilli Bashkiak i Durrësit ka 51 këshilltarë, ndërsa për të miratuar projektbuxhetin duhet të miratohet nga 26 këshilltarë ose 50+1. Pro tij votuan sot 21 këshilltarë të PS dhe aleatëve të saj të vegjël, ndërsa 12 këshilltarë të PD votuan kundër. Ndërsa nga radhët e LSI-së, votuan kundër 3 këshilltarë dhe 5 abstenuan, kështu që nuk u plotësua dot numri prej 26 anëtarësh.
(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: