* Malltezi: Lejet mjedisore, burim korrupsioni. Dëmtohen zonat e mbrojtura
* Malltezi: Sugjerojmë uljen e taksës në sektorin e turizmit
TIRANE- Partia Demokratike ka zhvilluar ditën e sotme një takim me ekspertë të mjedisit dhe turizmit. Në fjalën e tij, sekretari i PD për mjedisin, Jamarbër Malltezi është ndalur tek situata me zonat e mbrojtura dhe pyjet në vendin tonë. Ai ka deklaruar se ndotja në vend ka arritur nivele alarmante, duke nënvizuar se “mushkëritë e Tiranës janë në rrezik”. Sipas Malltezit, po prishet vija bregdetare e Vlorës, pasi “është zëvendësuar rëra me llucën, kinse do të ndërtonin Lungo Maren”.
Malltezi tha se në vendin tonë po bëhen ndërtime edhe në zona të mbrojtura, dhe sipas tij prej tyre po kërcënohet parku rinia dhe parku i liqenit.
“Kemi lajmet që temperaturat janë nën zero, por në parqet kombëtare, digjen pyjet mes të ftohtit. Po flasin për moratorium për gjuetinë e paligjshme, por përsëri po bëhet nami. Asgjë konkrete për të ndërhyrë për të ndaluar këtë katastrofë. Nuk bëhet monitorim i ndotjes së ajrit, i cili është në nivele të larta”, tha Malltezi.
Në emër të PD, Malltezi ka propozuar mbajtjen e referendumeve lokale për mbrojtjen e parkut Rinia dhe atë të Liqenit, ku janë planifikuar disa projekte që sipas Malltezit “janë të dëmshme për mjedisin”, duke theksuar se, “ato ndikojnë negativisht në shëndetin e qytetarëve”.
“Ne sugjerojmë referendume lokale për të lejuar apo jo ndërtimet në zonat të caktuara. Jemi të gatshëm të organizojmë vetëm mbledhjen e firmave për çështje që na prekin, dhe dëmtojmë shëndetin tonë dhe të fëmijëve tanë”, tha Malltezi.
Më tej, Malltezi u ndal tek sektori i turizmit, duke u shprehur se për të nxitur këtë sektor duhet të ulen taksat, të cilat janë më të larta në rajon.
Një tjetër pikë ku eksponenti i PD është ndalur ka qenë monitorimi i ajrit në kryeqytet, që sipas tij, “nuk kryhet fare”. “Ministri i ri, që firmos mijëra euro konçesione nuk ka bërë asnjë analizë”, ka thënë Malltezi.
Gjithashtu, ka vijuar ai, ndotje masive ka edhe në bregdetin e Durrësit, ku agjencitë për mbrojtjen e territorit nuk po bëjnë punën e tyre.
(el.sp/BalkanWeb)