Partia Demokratike mbledh pasditen e sotme Këshillin Kombëtar, në vijim të mbledhjeve të strukturave drejtuese, ndërsa pritet që opozita të përcaktojë strategjinë e saj të protestave apo reagimeve, pas dënimit me 1 vit burg nga Gjykata e Apelit të deputetit Ervin Salianji.
Mbledhja e Këshillit Kombëtar do të nisë në orën 18:00, ndërsa anëtarëve të forumit do t’i drejtohet me një fjalim nëpërmjet “skype” ish-Kryeministri dhe kreu demokrat Sali Berisha, i cili prej pothuajse 10 muajsh ndodhet në arrest shtëpie, me vendim të GJKKO-së, lidhur me çështjen e privatizimit të kompleksit ‘Partizani’.
Një mbledhje e Kryesisë dhe dy mbledhje të Grupit Parlamentar të PD-së, të zhvilluara dy tre ditët e fundit, pas shpalljes së vendimit nga Gjykata e Apelit, janë pasuar me deklarata të forta nga zyrtarët më të lartë të opozitës. Ata akuzojnë Kryeministrin Edi Rama për burgosjen e deputetit Salianji në shenjë hakmarrjeje ndaj denoncimeve që ligjëvënësi demokrat i ka bërë lidhjeve të Qeverisë me krimin e organizuar.
Këshilli Kombëtar pritet të formalizojë vendimet e marra në Grupin Parlamentar të PD dhe Kryesinë e kësaj partie, ndërkohë që pritet që anëtarëve të këtij forumi ti kërkohet një angazhim në bazë për të garantuar një pjesëmarrje të lartë në protestën që pritet të mbahet në fund të javës që nis.
PD ka deklaruar se do të ndërpresë marrëdhëniet institucionale me mazhorancën e drejtuar nga Edi Rama, ndërkohë që në 6 tetor ëhstë thirrur një protestë.
Drejtues të PD-së kanë paralajmëruar se protesta do të jetë rezistente, ndërsa ish-Kryeministri Berisha ka rikthyer thirrjet për mosbindje civile.
Nuk dihet se çfarë strategjie do të ndjekë opozita, por pasditen e së hënës, kur do të mblidhet seanca plenare, ku gjithashtu pritet të njoftohet ndërprerja e mandatit të deputetit për Ervin Salianji, priten tensione në seancë.