Simpatizantë dhe anëtarë të Partisë Demokratike në Shkodër kanë shpërndarë në të gjithë qytetin pankarta e fletushka kundër kryetarit të dalë më 30 qershor për bashkinë e Shkodrës Valdrin Pjetri.
Nëpër makina, institucione, lokale e rrugë janë vendosur pankarta ku shkruhet “Narko Valdrini jashtë Bashkisë”.
Prej kohësh PD akuzon Pjetrin se ka falsifikuar formularin e dekriminalizimit duke deklaruar se ai ka fshehur një dënim në Itali për drogë.
“Shkodranët kanë nisur reagimin e tyre kundër kandidatit të Ramës për Bashkinë e Shkodrës, i cili akuzohet prej disa javësh nga PD dhe opinioni publik si i ndaluar për trafikim të lëndëve narkotike dhe të dëbuar nga Italia.
Pankartat janë vendosur pranë makinave të parkuara në rrugët kryesore të qytetit, duke ju prezantuar shkodranëve momente të votimit të Valdrin Pjetrit në 30 Qershor, logon e PS me simbolin e kanabisit si dhe kangjellat e burgut, fati i vërtetë që e pret Valdrin Pjetrin, kur të ketë një hetim të vërtetë për dënimin e tij në Itali si dhe për falsifikimin e formularit të dekriminalizimit”, deklaron PD.