TIRANË

Partia Demokratike akuzon maxhorancën se me amendamentet e njëanshme në mënyrë të përsëritur po minon reformën zgjedhore,

Oerd Bylykbashi, bashkëkryetar i Komisionit Parlamentar ad-hoc për Reformën Zgjedhore tha sot se me paraqitjen e draftit të njëanshëm të amendamenteve të Kodit Zgjedhor, PS në mënyrë të përsëritur po minon reformën zgjedhore. Sipas tij, ky akt tregon qartë se i vetmi qëllim i PS është të sabotojë reformën zgjedhore.

“Parlamenti mund të votojë vetëm amendamente që miratohen nga Komisioni i Reformës Zgjedhore. Veprimi i sotëm i Partisë Socialiste ka si qëllim vetëm prishjen e urave të konsensusit për rregulla loje që pamundësojnë ripërtëritjen e shkeljeve dhe manipulimeve të zgjedhjeve që konstatoi raporti i OSBE/ODIHR në 2017.
Reforma zgjedhore ka konstatuar se problemet kryesore të zgjedhjeve janë pasojë dhe përgjegjësi e qeverisë.
Asnjë përpjekje nuk është bërë nga qeveria për të zgjidhur problemin e 1,4 milion letërnjoftimeve që u skadon vlefshmëria deri në ‎datën e zgjedhjeve 30 qershor 2019, që përbën shumicën dërrmuese të zgjedhësve aktive”, deklaron Bylykbashi.

Ai theksoi se asnjë përpjekje reale nuk është bërë nga qeveria për të vënë në jetë projektin pilot të votimit elektronik, si një mjet kundër mashtrimeve zgjedhore.

“Asnjë përpjekje nuk ka në plan qeveria kundër presionit mbi administratën dhe abuzimit me burimet shtetërore siç rekomandon ODIHR.
Asnjë përpjekje nuk është bërë për të sistemin e plotë dhe të saktë të adresave, mungesa e të cilit vazhdon të lejoje manipulimin e listave të zgjedhësve duke importuar zgjedhësit nga një qytet në tjetrin.
Asnjë masë nuk është marrë që policia e shtetit të garantojë që kriminelët të mos prishin procesin, në të njëjtën kohë të mos bëhet vetë ajo palë e manipulimit dhe presionit”, tha deputeti i PD.

Ndërsa për problemin numër një,-deklaroi Bylybakbashi-atë të shitblerjes së votës, Edi Rama dhe drejtësia e kapur prej tij vazhdojnë të mbrojnë Vangjush Dakon, Damian Gjiknurin dhe dhjetëra funksionarë të tjerë të lartë të PS të interceptuar edhe ligjërisht nga përgjimet e prokurorisë në pazare me kriminelët për të blerë vota dhe kërcënuar votuesit.

“Nga njëra anë edhe vetë përfaqësuesit e qeverisë kanë pranuar se këto probleme thelbësore nuk zgjidhen me Kodin Zgjedhor por janë detyrë e qeverisë dhe çështje e vullnetit politik. Minat që PS po i vë sot reformës zgjedhore, synojnë të fshehin mosveprimin e qëllimshëm të saj për këto problem.
Synimi është i qartë, pa një reformë konsensuale, qeveria fsheh përgjegjësitë e saj dhe mbron vjedhjen dhe manipulimin e zgjedhjeve”, tha deputeti i PD.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb