TIRANË

Pas marrjes së vendimit për Dritan Dajtin për uljen e dënimit nga burgim i përjetshëm në 25 vite burg për vrasjen e katër policëve në 2009, ka reaguar sërish Partia Demokratike.


Përmes një reagimi të shpërndarë për mediat, selia blu hedh akuza të forta ndaj kryeministrit dhe ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonaj. Kësaj të fundit, Partia Demokratike i kërkon të shpjegojë dhe t’u përgjigjet disa pyetjeve, të cilat siç shton ajo, po mbahen të fshehta për opinionin publik.


Në pyetjet e drejtuara ministres së drejtësisë kërkohet shpjegim se më kë ka komunikuar nga burgu Dritan Dajti si dhe kush dha garancinë për lirimin e tij.


“Qeveria vazhdoi talljen e pacipë dhe të pamëshirshme me 4 Dëshmorët e Atdheut, të vrarë në krye të detyrës nga krimineli Dritan Dajti, për t’u hedhur hi syve shqiptarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë, se vendimi në favor të Dritan Dajtit është prodhim i Edi Ramës.

Është në detyrën e Partisë Demokratike të informojë opinionin publik se parashikimet ligjore për shkeljet disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve, që citoi sot Ministrja e Drejtësisë, nuk ekzistojnë.

Etilda Gjonaj e di shumë mirë se Gjykata Kushtetuese ka shfuqizuar nenet nga 101 deri në 104 të ligjit për statusin e gjyqtarit, nene të cilat parashikonin shkeljet disiplinore. Etilda Gjonaj e di shumë mirë se prej më shumë se dy vjetësh, Edi Rama ka urdhëruar bllokimin e çdo akti që plotëson boshllëkun e krijuar.

Partia Demokratike ka paraqitur në Kuvend që në shkurt 2018 propozimet për nenet e shfuqizuara nga Gjykata Kushtetuese, por ato vazhdojnë të jenë të bllokuara dhe Shqipëria vazhdon të mos ketë një ligj për shkeljet disiplinore të gjyqtarëve.

Kërkesa e Ministres së Drejtësisë për procedim disiplinore të gjyqtarëve, në kushtet kur mungon ligji për shkeljen disiplinore, është tallje me shqiptarët dhe një teatër kriminal që nuk ndryshon dot faktin se një tjetër kriminel i rrezikshëm u lirua nga drejtësia e reformuar e Edi Ramës.

Në vend të propagandës së neveritshme dhe mashtrimit të pacipë të opinionit publik, Ministrja e Drejtësisë ka për detyrë të mos heshtë, por t’u thotë shqiptarëve:

 

  • Me kë komunikon nga burgu Dritan Dajti?
  • Kë shantazhon nga burgu vrasësi i 4 policëve në krye të detyrës?
  • Kush i ka dalë Dritan Dajtit garant për lirimin e tij të shpejtë?

 

Pyetjet janë konkrete dhe kërkojnë përgjigje konkrete dhe Ministrja e Drejtësisë nuk mund të fshihet dot shumë gjatë pas kërkesave që bazohen në ligje që nuk ekzistojnë”, thuhet në njoftim.

(N.M/ BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: