TIRANË- Partia Demokratike ka dorëzuar sot kërkesën në Kuvend për mbarimin e mandatit të deputetit Koço Kokëdhima. PD pretendon se pas një hetimi disa mujor ka konstatuar se Kokëdhima ka përfituar para publike në 150 raste nëpërmjet kompanisë Abissnet. Deputetja e PD Jorida Tabaku kërkoi që Meta të nisë procedurat për mbylljen e mandatit të deputetit socialist Koço Kokëdhima. Reagon deputeti: S’jam pronar i Abissnet, i shita aksionet në shkurt të 2014.
PD: T’I HIQET MANDATIT KOKËDHIMËS, PËRFITOI PARA PUBLIKE
Partia Demokratike kërkon heqjen e mandatit të deputetit socialist Koço Kokëdhima dhe për këtë i ka dorëzuar sot edhe kërkesën, Kryetarit të Kuvendit. Sipas PD-së, Kokëdhima ka përfituar fonde publike nga pasuria e qytetarëve që prej shtatorit të vitit 2013, gjë rreptësisht e ndaluar nga Kushtetuta.

Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku ka deklaruar sot nga Kryesia e Kuvendit se “Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike sapo ka dorëzuar kërkesën për mbarimin e mandatit të deputetit të Partisë Socialiste, Koco Kokëdhima, bazuar në Kushtetutën e vendit. Ne kemi arritur në konkluzionin, bazuar mbi fakte e argumenta e pas një pune disa mujore hulumtimi e hetimi, të bërë nga departamenti anti-korrupsion në Partinë Demokratike, se deputeti Koço Kokëdhima ka përfituar fonde publike nga pasuria e qytetarëve të vendit. Kjo është rreptësisht e ndaluar nga Kushtetuta dhe sjell automatikisht përfundimin e mandatit të tij,” theksoi Tabaku.

[embeddoc url=”https://www.balkanweb.com/site/wp-content/uploads/2015/02/MOCION-PER-HEQJEN-E-MANDATIT-TE-KOCO-KOKEDHIMES-06.01.2015.docx” viewer=”microsoft”]

“Eshtë provuar nga ne, – shtoi ajo më tej, – se deputeti përfiton fonde publike prej shtatorit të vitit 2013. Ka qënë media e para qe ka zbuluar disa detaje të këtyre kontratave dhe me pas ekspertët e departamentit te antikorupsionit kanë bërë hetime të hollësishme në thesarin e shtetit nga ku ka rezultuar se ‎janë të pakten 150 raste të kalimit të parave në llogaritë e deputetit Kokëdhima.
Vijmë këtu, bazuar në nenin 69, 70 dhe 71 të Kushtetutes ku parashikohet qartë se mandati i deputetit përfundon në rast se ai ka përfituar fonde publike.

[embeddoc url=”https://www.balkanweb.com/site/wp-content/uploads/2015/02/EKSTRAKT-QKR.docx” viewer=”microsoft”][embeddoc url=”https://www.balkanweb.com/site/wp-content/uploads/2015/02/prova-e-faturave-te-paguara.docx” viewer=”microsoft”]

Provat janë të qarta, janë të depozituara në Kuvend dhe ne i kërkojme Kryetarit të vërë në lëvizje një orë e më parë kerkesen tonë dhe të zhvilloje procedurat e parashikuara nga ligji, rregullorja, kushtetuta dhe Vendimi i Gjykates Kushtetuese, si në rastin e deputetit Ilir Beqja,”u tha në përfundim.
REAGON DEPUTETI KOKEDHIMA: OPOZITA SHPIF, JAM I HAPUR PER CDO SQARIM
Deputeti Koço Kokëdhima i cilësoi shpifje dhe aludime akuzat e opozitës ndaj tij, duke theksuar se mbetet i hapur për të dhënë çdo sqarim në lidhje me pretendimet se ai ka përfituar fonde publike nëpërmjet kompanisë “Abissnet sh.a”. Kokëdhima thekson se  nga muaji shkurt i vitit 2014 nuk ka asnjë lidhje me kompaninë “Abissnet”, pasi i ka shitur të gjitha aksionet e saj.
DEKLARATA E PLOTE E KOKEDHIMES
“Dëshiroj të sqaroj opinionin publik në lidhje me shpifjet e bëra sot nga Partia Demokratike dhe kërkesën e kësaj partie për heqjen e mandatit tim si deputeti i Parlamentit të Shqipërisë, me pretendimin absurd se paskam përfituar fonde publike nëpërmjet kompanisë “Abissnet sh.a”.  Në lidhje me këtë çështje dëshiroj të sqaroj opinionin publik se nga muaji Shkurt i vitit 2014 nuk kam asnjë lidhje me kompaninë “Abssinet sh.a”. Nga data 06.02.2014 i kam shitur të gjitha aksionet që kam pasur në këtë kompani, fakt ky që mund të vërtetohet fare lehtë nga QKR. Për kontratat e lidhura nga “Abissnet sh.a” me subjekte publike apo private për ofrimin e shërbimit të internetit, përpara se unë të zgjidhesha deputet i Parlamentit të Shqipërisë, kohë kur unë isha aksionar i kësaj shoqërie, çdo gjë është bërë në mënyrë transparente, konform ligjit dhe çdo kontratë është lehtësisht e verifikueshme.

Kontratat, për të cilat aludon opozita, janë lidhur në janar të vitit 2013 me qeverinë Berisha, në kohën kur unë nuk isha zgjedhur deputet. Nënshkrimi i këtyre kontratave parashikon një kohëzgjatje 12 mujore. Kjo do të thotë që kjo shoqëri nuk mund të zgjidhë kontratat me subjektet përkatëse, vetëm sepse një aksionar bëhet deputet. Shoqëria “Abissnet sh.a” nuk mund të prishte në mënyrë të njëanshme kontratat që kishte lidhur me institucione të ndryshme shtetërore. Dëshiroj të sqaroj opinionin publik se shoqëria “Abissnet sh.a” nuk ka lidhur asnjë kontratë të re me institucione shtetërore dhe nuk ka përfituar as edhe një qindarkë nga buxheti i shtetit që nga koha kur unë jam zgjedhur Deputet i Republikës së Shqipërisë e deri në momentin që kam shitur aksionet. Partia Demokratike ka paraqitur sot pretendimit se shitja e aksioneve në Shkurt të vitit 2014 është bërë me një kontratë jo noteriale. Unë ftoj të gjithë opinionin publik dhe në veçanti përfaqësuesit e opozitës që të lexojnë ligjin për shoqëritë tregtare aksionare, i cili e shpreh fare qartë se shitblerja e aksioneve është e lirë dhe mund të bëhet në një nga format që parashikon ligji, siç kam vepruar unë dhe siç e ka konfirmuar edhe QKR, e cila në datën 07.02.2014 ka njohur transferimin e pronësisë së aksioneve të mia tek aksionerët e tjerë. Shpreh keqardhjen që opozita merret me shpifje dhe aludime, duke tjetërsuar çdo të dhënë dhe informacion në lidhje me personin tim. Kjo strategji e opozitës për të shpifur ndaj personit tim do të marrë një përgjigje të drejt për drejtë dhe konkrete nga unë si në çdo rast edhe këtë radhë. Jam i hapur për çdo pyetje, sqarim, dokument dhe çështje në interes të opinionit publik. Gjithashtu jam i hapur ndaj çdo procedure që do të gjykojë të arsyeshme Parlamenti i Republikës së Shqipërisë”.
(ar.sh/er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb