TIRANE- Partia Demokratike ka deklaruar sot se duke ju referuar raportit të “Global Petrol Prices”, çmimi i naftës në vendet e Europës dhe më gjerë ka rënë dy herë më shumë se sa thotë kryeministri Edi Rama. Deputeti i PD-së, Florion Mima tha se “Rama i bëhet krah tregtarëve të tij që blejnë më lirë në tregjet ndërkombëtare dhe ia shesin shumë më shtrenjtë qytetarëve tanë”.

“Rama gënjeu publikisht, raporti tregon se çmimi i naftës ka rënë dy herë më shumë nga sa deklaron kryeministri. Por Rama i bëhet krah tregtarëve të tij që blejnë më lirë në tregjet ndërkombëtare dhe ia shesin shumë më shtrenjtë qytetarëve tanë”, u shpreh Mima.

Ai ka përmendur shifrat e lëvizjes së çmimit të naftës në vende si Greqi, Italia dhe Franca, ku sipas tij, rënia është shumë herë më e madhe se ajo që thotë Rama.

“Para dy ditësh Kryeministri i vendit publikoi një pikturë me ngjyra, të cilën nuk do ta komentonim nëse do të ishte thjesht një nga pikturat e tij, por meqënëse Kryeministri e quan atë një info-graf dhe mbi çdo ngjyrë ka një shifër, por pa referuar burimin, detyrohemi të sqarojme publikun shqiptar mbi të vërtetën, duke iu referuar burimit prestigjoz “Global Petrol Prices”, sipas të cilit vetëm në tremujorin e fundit: në Greqi, çmimi ka rënë me 9%, dhe jo 5.3% siç deklaron kryeministri, ose 70% më shumë;

Në Itali, çmimi ka rënë me 6.7%, dhe jo 4.8% siç deklaron kryeministri ose 40% më shumë; në Francë, çmimi ka rënë me 7.4%, dhe jo 4% siç deklaron Kryeministri, ose 85% më shumë; në Maqedoni, çmimi ka rënë me 10%, dhe jo 4.8% siç deklaron kryeministri, pra mbi dy herë më shumë; Në Holandë, çmimi ka rënë me 8.8% dhe jo 4.4% që deklaron Kryeministri, pra rënie dy herë më shumë”, ka thënë deputeti i PD-së.

Mima shtoi se në shkalle globale, çmimet e shitjes me pakicë të diezelit, vetëm gjatë tremujorit të fundit, kanë rënë mesatarisht me 16.2%, pa përmendur këtu që vetëm në SHBA çmimi ka rënë nga 3 dollarë galloni në rreth 2 dollarë galloni, pra ka rënë rreth 50%.

“Pyetja e sotme për Kryeministrin është se përse ai, duke fshehur shifrat e vërteta, u bëhet krah klientëve të tij, të cilët e blejnë naftën në tregjet ndërkombëtare shumë më lirë se një vit më parë, ndërkohë që ia shesin shqiptareve me çmime pothuajse të pandryshuara?”, përfundoi Mima.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb