TIRANE – “Ministrja Nikolla konfirmon se është pjesë e dhunës ndaj studentëve,” ka deklaruar Partia Demokratike lidhur me qëndrimin që ka mbajtur Ministria e Arsimit ndaj grevës në Fakultetin e Mjekësisë.


“Ministria e Arsimit konfirmoi sot se është pjesë e dhunës së ushtruar mbrëmë ndaj studentëve grevistë. Ndërsa opinioni publik priste që Ministria e Arsimit, të tregonte solidaritet me të rinjtë që kërkojnë të drejtën e tyre për arsim, siç do të bënte në fakt çdo ministri e arsimit në botë, qëndrimi i saj është krejt i kundërt, është në favor të rrahjes e poshtërimit brutal të studentëve,” shkruan PD-ja në një njoftim.


“Ministria e Arsimit mbajti një qëndrim racist, duke i stigmatizuar studentët grevistë, duke i ndarë ata në qytetarë të dorës së dytë, që nuk paskan të drejta si gjithë të tjerët. Partia Demokratike e konsideron të turpshëm këtë qëndrim, aq më tepër kur studentët po protestojnë pikërisht për një të drejtë që u është mohuar nga Ministria e Arsimit.


Vetë ministrja e arsimit, Lindita Nikolla, vjen nga radhët e studentëve të universiteteve private, dhe është e neveritshme se si ajo sot, mban qëndrim fyes, tallës e poshtërues ndaj studentëve që kanë të njëjtin status si ajo në të shkuarën e saj,” thuhet në përfundim.

Ministria e Arsimit tha sot se “grupi i yshtur politikisht, tashmë edhe publikisht, janë studentë të institucioneve që i’u hoq licenca në korrik të vitit 2014. Ndërsa këta që u vunë në kor për t’i qarë hallin, janë të njëjtët që i licencuan kundër ligjit, dhe i lanë të funksionojnë jo vetëm kundër ligjit por kundër çdo lloj arsyeje minimale. Këta që i qajnë hallin janë ata që i lanë institucionet të ndërrojnë diploma me këpucë të përdorura, apo dru zjarri. Sot i dalin në mbrojtje sistemit që vetë kishin ngritur. Ky është vizioni i tyre për arsimin, ky është vizioni i tyre për Shqipërinë.”

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb