Partia Demokratike ka nisur mobilizimin e elektoratit në Mirditë me konstituimin e shtabit elektoral dhe prezantimin e kandidatit të saj, Aleksandër Lala. Deputeti i PD, Agron Gjekmarkaj, e cilësoi këtë një hap vendimtar për fitoren e opozitës në zgjedhjet e 11 majit, duke e quajtur Mirditën një bastion të vlerave historike dhe të ndryshimit.

“Kandidati ynë, Aleksandër Lala, është një intelektual dhe politikan i njohur në trevë. Ai do të përfaqësojë me dinjitet Listën e Koalicionit të Shqipërisë Madhështore, duke maksimalizuar votën dhe besimin tek një e ardhme më e mirë,” deklaroi Gjekmarkaj.

Në fjalën e tij, deputeti demokrat u shpreh se PD është e vendosur për të sjellë një rezultat fitues në Mirditë dhe në të gjithë vendin, duke e konsideruar qeverinë aktuale përgjegjëse për varfërimin dhe keqqeverisjen.

“Qeveria në ikje i ka bërë dëm të madh Mirditës, Lezhës, Kurbinit dhe gjithë Shqipërisë. Më 11 maj, shqiptarët do të votojnë për ndryshimin, kundër korrupsionit dhe skandaleve që kanë pllakosur vendin,” shtoi ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb