GRAMSH – Qindra banorë të Gramshit janë ngritur në protestë, kundër asaj që e cilësojnë si padrejtësi dhe arbitraritet të qeverisë Rama. Banorët thonë se ndihen të braktisur nga mungesa e rrugës dhe investimeve dhe të grabitur nga qeveria, që u ka marrë pronat dhe nuk i ka dëmshpërblyer sipas ligjit.

Kryetari i Partisë Demokratike të Gramshit, Elmaz Haruni tha se qytetarët janë në të drejtën e tyre dhe cështja e tyre duhet të zgjidhet. Sipas tij, PD do të jetë në krah të qytetarëve.

“Sot jemi me qytetarët në protestë e cila nuk do të jetë e para dhe as e fundit derisa të marrin fund abuzimet me rrugën në Elbasan, derisa banorët të shpronësohen me vlerën aktuale të tregut, të gjithë, pronarët dhe fermerët që u dëmtuan nga kaskada e Devollit. Mosbinja civile në Gramsh nuk do të ndalojë. Zgjidhja është largimi i qeverisë Rama-Meta. Zgjedhje të reja e demokratike pa grabitje dhe shitblerje të votës është zgjidhja”, tha Haruni.

Deputetja Arbjola Halimi ishte e pranishme në protestë.
“Të nderuar miq që e keni vrarë frikën. Edhe ata që nuk janë këtu për shkak të shtypjes, presionit, frikës, kërcënimit e dhunimit që bën Edi Rama. Ju faleminderit që jeni të pranishëm këtu, që protestoni për të drejtat tuaja që u janë shtypur me forcë. Unë dëgjova sot se ju protestoni për tokat. Ato u janë grabitur. Po a nuk bënë të njëjtën gjë baballarët e tyre 45 vite me radhë. E pra, këta nuk janë gjë tjetër edhe pse më shëmbëlltyrën e tyre e rilindur. Sigurisht që do u rrëmbejnë tokat, sigurisht që do u grabisin, sigurisht që do u çojnë në skamje dhe në varfëri sepse kjo është forma e tyre e pushtetit, kjo është forma me të cilën ata qeverisin. Ju protestoni sot këtu për rrugët, për fondet publike të cilave u janë grabitur, po a nuk e keni dëgjuar në media për drejtorin e Përgjithshëm të Rrugëve?! 4.6 milionë euro abuzime për rrugët nga Dashamir Xhika, drejtori i Përgjithshëm të Rrugëve. E si tu bëhen juve rrugë?! Gramshi me Cërrikun nuk është larg dhe e keni parë besoj se si janë të hapura rrugët andej dhe rruga juaj këtej. Unë dua tu rikujtoj diçka. Çfarë ndodhi në fushatë?! E pra ato fonde që nuk gjenden për rrugën tuaj, rrugët e qytetarëvr të Cërrikut, Elbasanit e gjithë Shqipërisë janë fonde të shpërndara në fushatë për blerjen e votës sepse në këtë mënyrë erdhi në qeverisje Edi Rama”, tha Halimi.

Sekretari i Partisë Demokratike për Aksionin Qytetar, Ervin Salianji, tha se protestat e qytetarëve në të gjithë vendin janë shenjë e ndërgjegjësimit, janë rruga e zgjidhjes së problemeve.

“Jemi sot këtu në mbështetje të qytetarëve gramshiote në emër të Partisë Demokratike dhe kryetarit Lulzim Basha, duke ju thënë edhe njëherë jo vetëm nga Gramshi por nga gjithë Shqipëria, se Partia Demokratike është në mbështetje të kërkesave të ligjshme të shqiptarëve kudo që ato janë e ndodhen. Nuk jemi sot këtu për të larguar një kryeministër hajdut apo një deputet hajdut dhe për ta zëvëndësuar me disa deputetë më të mirë të zonës tuaj. Jemi sot këtu për të protestuar për dy modele të ndryshme. Njëri model i përfqësuar nga Edi Rama dhe çirakët e vetë si Damian Gjiknuri dhe kryetarja e Bashkisë së Gramshit dhe një model tjetër i Lulzim Bashës dhe ekipit të vetë i cili jo vetëm ndryshon në alternativë, në formë e përmbajtje me ketë qeveri por ndryshon thellësisht në përmbatje dhe në kujdesin që ka ndaj qytetarëve. Kjo qeveri po i varfëron më shumë qytetarët dhe kjo qeveri po bën që qytetarët e Gramshit dhe të Shqipërisë të jenë më të papunë, të jenë më të përbuzur, të jenë më në periferi. Janë sot më të papunë e më të varfër sepse punësimin, paratë, mundësitë që u jep ky vend i mrekullueshëm me këto burime natyrore i marrin dhe i shfrytëzojnë oligarkët e pushtetit, njerëzit e lidhur me Edi Ramën, njerëzit e lidhur me qeverinë. Ju siguroj edhe njëherë, dhe nëse sot jemi 1 mijë apo 2 mijë, 5 mijë do jemi nesër 50 mijë do jenë para qeverisë, 100 mijë, gjithë qytetarët e bashkuar do jenë një ditë më pas derisa të drejtat legjitime të qytetarëve të respektohen. Shqipëria është në këmbë, Shqipëria nuk mund ta mbajë këtë zgjedhë që i ka vendosur kjo qeveri për ta sunduar dhe jo qeverisur”, tha Salianji.

Irena Progni dhe Kodhel Çala e quajtën të drejtë protestën e qytetarëve të Gramshit dhe thanë se do të jenë me ta derisa cështja e tyre të zgjidhet.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: