TIRANË-  Partia Republikane ka paraqitur sot në takimin e negociatave me PD-­në, draftin e tyre me gjithë propozimet. Në mbyllje të takimit që nisi në orën 13:00, e në të cilin u shoqërua nga deputeti Agron Duka, nënkryetari i PR-­së, Arjan Madhi ka thënë për mediat se në draftin e paraqitur nuk u vendosën kushte për bashki, por u prezantuan 13­-14 kandidatë. I pyetur se për çfarë arsyeje ishte në këtë takim edhe zoti Duka, Madhi theksoi se ai është një eksponent i rëndësishëm në PR dhe deputet i kësaj partie në Kuvendin e Shqipërisë. “PR erdhi vullnet plotë për t i kontrubuar procesit dhe ne prezantuam projektin e bashkëpunimit me PD dhe aleatët, pas kësaj është lënë raundi i dyte, teknik i bashkëpunimit dhe presim që PD të shprehet. Njoftimet me rëndësi do të jenë pas këtij raundi të dytë”­, tha ai.

Partia Demokratike ka nisur sot bisedimet konkrete me partitë e koalicionit, për të gjetur gjuhën e përbashkët në arritjen e një marrëveshjeje për zgjedhjet e 21 qershorit. Paraditen e sotme Edmond Spaho, Eduard Halimi dhe Ivi Kaso nisën takimet me përfaqësuesit e partive Balli Kombëtar, Balli Kombëtar Demokrat dhe Bashkimi Liberal Demokrat. PD do të takohet me përfaqësuesit e secilës prej 20 partive të koalicionit ku do të dëgjojnë pretendimet e aleatëve dhe ku do të vendoset se ku do mund të jenë pikat e bashkëpunimit në fushatën e zgjedhjeve vendore.

Megjithatë, aleatët e PD-së tashmë janë ndarë në dy kampe. Janë të paktën 6 parti politike të cilat kanë shprehur interesin për të pasur kandidatin e tyre në garën për kryetar të bashkive. Kështu, republikanët kanë kërkuar të kenë kandidatin e tyre në Durrës ku është propozuar emiri i Agron Dukës, Sarandë, Shijak, Vorë dhe Kukës. Demokristianët kanë shprehur interesin për të paraqitur kandidaturën në Pukë, Fushë­-Arrëz, Lezhë, Sarandë, Rrëshen dhe Kurbin.

PLL pritet të kërkojë që të garojë për Bashkinë e Matit, ndërsa Bashkimi Liberal Demokrat do të kërkojë të garojë në Elbasan duke ofruar dhe emrin e Arjan Starovës si kandidat. Po ashtu dhe Balli Kombëtar Demokrat do të shprehë interesin për të pasur kandidatin në Delvinë ose në Këlcyrë. Ndërsa Balli Kombëtar do të shprehë interes për një nga bashkitë e Qarkut të Vlorës dhe të Korçës. Ndërkohë kreu i LZHK-së Dashamir Shehi synon vetëm përfaqësim në Këshillat Bashkiakë.

Një tjetër pikë e negociatave do të jetë dhe mundësia që në zona të caktuara emrat e partive të vogla të jenë në listën e këshilltarëve të PD-­së. Kjo si një formë e proporcionalitetit në bashkëpunim. Po ashtu, mësohet se në rendin e diskutimeve do të jetë dhe marrja e postit të nënkryetarit të bashkisë apo drejtimit të njësive administrative. Kjo në varësi të rezultatit që do të kenë partitë në zgjedhje.

KERKESAT

PDK

Pukë
Fushë-­Arrëz
Lezhë
Sarandë
Rrëshen
Kurbin

PR

Durrës
Sarandë
Shijak
Vorë
Kukës

PLL

Mat

PBKD

Delvinë
Këlcyrë

PBK

Bashki në: Qarkun e Vlorës
Qarkun e Korçës

PBLD

Bashkia Elbasan

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: