DIBER- Partia Socialiste e Partia Demokratike kanë vijuar denoncimet ndaj njëra-tjetrën për fotografim të votave. Dy fletë votimi të fotografuara nga procesi i votimit në Dibër, ka mbërritur në redaksinë e “BalkanWeb”. Njëra denoncohet nga PD, dhe mban të shënjuar kuadratin ku votohet për kandidatin e ASE Muharrem Rama. Por sipas PD, votuesi u kap duke fotografuar votën, dhe ajo më pas është shpallur e pavlefshme duke i hequr kryq.

Ndërkohë që PD ka denoncuar me emra votuesit që kanë fotografuar votën, PS ngelet thjesht në fazën e denoncimit të fotos, pa e specifikuar se cili është votuesi që ka bërë këtë veprim.

Partia Demokratike thotë se 3 votues të PS kanë fotografuar votën e tyre në Qendrën e Votimit 1136 në Dobrovë, ndërsa thekson se do të ndjekë ligjërisht këtë çështje, duke bërë kallëzimet përkatëse për rastet.

“Gjon Cen Mehmeti ishte votues i PS, ai po fotografonte votën në QV 1136, Dobrovë. Po kështu Donika Goleci dhe Agim Hoxha kanë fotografuar votën po në këtë Qendër Votimi”, thuhet në denoncimin e PD.

Ndërsa një tjetër fletë votimi është denoncuar nga PS, ku sipas tyre një votues i djathtë ka fotografuar votën pasi ka vendosur shenjën në kuadratin e kandidatit demokrat Sherefedin Shehu.

Në të dyja fletët e votimit shihen qartë shenjat dalluese të KQZ, dhe të dhënat për ZAZ dhe qendrën e votimit.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb